Presidenti turk: As Rusia dhe as SHBA nuk do të përdorin armë bërthamore
2022-11-19 11:13:32

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan deklaroi se një takim SHBA-Rusi në Turqi ka treguar se asnjëra palë nuk do të përpiqet të përdorë armë bërthamore, njoftoi agjencia gjysmëzyrtare turke e lajmeve “Anadolu”, citon “Xinhua”.

“Informacioni që kam marrë nga drejtori i Inteligjencës turke, nëse Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të përdorin armë bërthamore, është se asnjëra palë nuk do të ketë asnjë përpjekje në këtë drejtim”,- tha Erdogan për gazetarët gjatë fluturimit të tij nga Indonezia për në Turqi.

Presidenti turk i referohej takimit mes drejtuesve të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës amerikane (CIA) dhe Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Rusisë, i cili u organizua nga Organizata Kombëtare e Inteligjencës së Turqisë të hënën në Ankara.

“Armët bërthamore mund të na çojnë në një luftë të re botërore. Mos ta lejojmë të ndodhë kjo gjë”,- tha Erdogan.

Takimi midis drejtorit të CIA-s Bill Burns dhe homologut të tij të Inteligjencës ruse Sergey Naryshkin në Ankara u mbajt me kërkesë të Shteteve të Bashkuara, deklaroi të hënën zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov. (Irma)