Rusia dhe Ukraina bien dakord për të zgjatur marrëveshjen e eksportit të drithërave
2022-11-18 11:13:22

Foto: VCG

Rusia dhe Ukraina ranë dakord të zgjasin për 120 ditë marrëveshjen për eksportin e drithërave dhe plehrave nga portet e Detit të Zi, e cila skadon të premten.

Marrëveshja, e njohur edhe si Iniciativa e Drithërave të Detit të Zi, do të zgjatet pa asnjë ndryshim në kushtet dhe qëllimin e saj, bëri të ditur Ministria e Jashtme ruse në një deklaratë, citon “Xinhua”.

“Vendimi u mor në Stamboll. Kombet e Bashkuara dhe Turqia mbetën garantues të nismës”,- shkroi në një postim në “Facebook” ministri ukrainas i Infrastrukturës Oleksandr Kubrakov.

Ministria ruse theksoi natyrën "paketë" të marrëveshjes, duke përfshirë përpjekjet për të lehtësuar eksportin e ushqimit dhe plehrave ruse në tregjet globale dhe kërkoi që pengesat në këtë fushë duhet të hiqen brenda katër muajve të ardhshëm.

Ministria ruse vuri në dukje se rreth 300.000 tonë plehra ruse për vendet në zhvillim, që u ndaluan në portet e Bashkimit Evropian, filluan të zhbllokohen.

Qëkur marrëveshja hyri në fuqi më 1 gusht, Ukraina ka eksportuar më shumë se 10.1 milionë tonë produkte ushqimore në 38 vende nëpërmjet porteve të saj të Odesa, Chornomorsk dhe Pivdenny, sipas shifrave zyrtare ukrainase.

Më 22 korrik, Rusia dhe Ukraina nënshkruan veçmas një dokument në Stamboll me Turqinë dhe Kombet e Bashkuara mbi eksportet e drithërave dhe plehrave nga Ukraina dhe Rusia për të siguruar furnizimet në tregjet globale. (Fatosi)