Kreu i OKB-së nxit arritjen e konsensusit mbi veprimet klimatike në COP27
2022-11-18 17:41:49

foto/Xinhua

foto/Xinhua

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres u bëri thirrje të enjten vendeve të ndërmarrin veprime lidhur me klimën në konferencën e OKB-së për ndryshimin klimatik, në vend që "ta vënë gishtin e fajit mbi të tjerët".

Ai bëri komentet gjatë një konference shtypi në sesionin e 27-të të Konferencës së Palëve (COP27) të Konventës Kuadër të Kombeve të Bashkuara mbi Ndryshimin Klimatik, e cila është planifikuar të mbyllet të premten në qytetin bregdetar egjiptian Sharm El-Sheikh.

Guterres-i tha se COP27 do të përfundojë për 24 orë, por është e qartë se ka një "thyerje" të besimit ndërmjet Veriut dhe Jugut.

Nuk ka kohë për ta vënë gishtin e fajit mbi të tjerët, u shpreh ai, duke shtuar se "hedhja e fajit është një recetë për shkatërrimin e ndërsjellë të sigurt."

Në lidhje me veprimet klimatike, Guterres u kërkoi palëve të marrin masa në tre fusha të rëndësishme: të përgjigjen ndaj humbjeve e dëmeve, të mbyllin hendekun e lëshimeve dhe të japin financime.

Shefi i OKB-së u kërkoi gjithashtu vendeve të zhvilluara të përmbushin premtimin e tyre për dhënien e 100 miliardë dollarëve amerikanë në vit për vendet në zhvillim dhe të hartojnë një program të besueshëm për dyfishimin e financave të përshtatjes.

Ai vuri në dukje se vendet e zhvilluara duhet të japin mbështetjen për të cilën kanë nevojë vendet në zhvillim për të zhvilluar energjinë e përtëritshme dhe për të forcuar qëndrueshmërinë e tyre përballë ndryshimit klimatik.

"Energjitë e përtëritshme janë rrugëdalja nga autostrada e ferrit klimatik," tha ai, duke u bërë jehonë komenteve të tij të mëparshme rreth së ashtuquajturës "autostradë për në ferrin klimatik" të bëra në samitin e krerëve të COP27-s.

foto/VCG

foto/VCG

Guterres-i bëri thirrje për arritjen e shpejtë të një konsensusi në COP27, duke paralajmëruar se "ora klimatike po bie dhe besimi po vazhdon të dobësohet."

Në konferencën e shtypit, ministri i Jashtëm egjiptian dhe kryetar i COP27 Sameh Shoukry theksoi se ende ka një numër çështjesh ku nuk u arrit përparim në fazën e fundit të COP27-s.