Importet e Irlandës nga Kina më shumë se dyfishohen në tre tremujorët e parë
2022-11-17 17:07:49

Importi i Irlandes (Foto Poandpo)

Importi i Irlandes (Foto Poandpo)

Importet e mallrave të Irlandës nga Kina u dyfishuan në tre tremujorët e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas shifrave sezonale të publikuara nga Zyra Qendrore e Statistikave të vendit.

Në nëntë muajt e parë, Irlanda importoi 11.57 miliardë euro (11.95 miliardë dollarë amerikanë) mallra nga Kina, 101.33 për qind më shumë nga viti në vit, duke e bërë Kinën burimin e tretë më të madh të mallrave të importuara nga Irlanda pas Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara, bën të ditur “Xinhua”.

Deri në shtator, mallrat kineze përbënin 11.11 për qind të importeve totale të vendit, të cilat u vlerësuan në 104.07 miliardë euro, me më shumë se 3 pikë përqindjeje në rritje krahasuar me 7.84 për qind në periudhën korresponduese të vitit të kaluar.

Kimikatet dhe produktet e lidhura me to ishin nxitësit kryesorë të rritjes. Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, kimikatet kineze dhe produktet përkatëse të importuara nga Irlanda u vlerësuan në 4.85 miliardë euro, një rritje prej afro 700 për qind krahasuar me importet prej 607 milionë eurosh të këtyre mallrave në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Mallrat e tjera kryesore të importuara nga Kina deri në shtator ishin makineritë dhe pajisjet e transportit me një vlerë totale prej 3.59 miliardë euro dhe artikuj të ndryshëm të prodhuar me vlerë 2.15 miliardë euro.

Në tre tremujorët e parë të këtij viti, Irlanda eksportoi në Kinë gjithsej 10.85 miliardë euro mallra, me një rritje prej 23.35 për qind nga viti në vit.

Kina ishte tregu i pestë më i madh i eksportit për mallrat irlandeze deri në shtator, duke zënë 6.82 për qind të vlerës totale të mallrave të eksportuara nga Irlanda. (Elona)