Indonezia promovon automjetet e gjelbra
2022-11-14 15:12:08


Foto: VCG

Më 15 dhe 16 nëntor në  ishullin turistik të Bali të Indonezisë do të zhvillohet Samiti i G20. Ky samit pritet të shërbejë si një platformë për Indonezinë për të shfaqur një nga industritë e saj më premtuese: prodhimin e automjeteve elektrike ose EV. Në shërbim të delegacioneve pjesëmarrëse në Samit Indonezia ka vënë mbi 6 mijë automjete elektrike, duke ndjekur prirjen globale të mbrojtjes së mjedisit nga emetimet.

Samiti i G20 do të shërbejë si një platformë për Indonezinë për të shfaqur një nga industritë e saj më premtuese: prodhimin e automjeteve elektrike ose EV.

Më shumë se 6,000 automjete elektrike,  duke përfshirë autobusë, makina dhe motoçikleta,  do të përshkojnë ishullin turistik të Bali javën e ardhshme për të marrë delegatët e samitit.  Këto automjete janë prodhuar nga prodhuesit kryesorë të automjeteve në industrinë e EV të Indonezisë, duke përfshirë Wuling Motors të Kinës, Toyota Motor të Japonisë dhe Hyundai Motor të Koresë së Jugut.  Ndërmarrja shtetërore e Indonezisë Perusahaan Listrik Negara do të operojë stacionet e karikimit për automjetet.

EV-të janë tani një "prirje globale" dhe konsiderohen një "strategji e tranzicionit të energjisë në shumë pjesë të botës", sipas Fabby Tumiwa, drejtoreshë ekzekutive e Institutit për Reformën e Shërbimeve Thelbësore, një institut kërkimor në Xhakartë.

Tumiwa tha se duke përdorur automjete të gjelbra për samitin, Indonezia ka riafirmuar se tranzicioni i qëndrueshëm i energjisë është një përparësi e presidencës së saj të G20, e cila përfshin ekonomitë kryesore të zhvilluara dhe ato në zhvillim.

Tranzicioni i energjisë

Përdorimi i tyre në mbledhjen e liderëve botërorë më 15 dhe 16 nëntor "do të sinjalizojë gjithashtu se Indonezia është e gatshme t’i nënshtrohet tranzicionit energjetik", tha Tumiwa.

Presidenti indonezian Joko Widodo ka promovuar sektorin e EV prej vitesh, me zhvillimin e tij që shihet si një mënyrë për të nxitur energjinë e rinovueshme dhe për të reduktuar emetimet e karbonit në përputhje me Marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike.

Në vitin 2019, Widodo nxori një dekret presidencial që jepte lehtësira tatimore dhe stimuj të tjerë për investitorët e mundshëm në këtë sektor.

Widodo ka ftuar prodhuesit e makinave të investojnë në Indonezi.  Në maj, ai u takua me shefin ekzekutiv të Tesla-s, Elon Musk, në përpjekje për të bindur prodhuesin më të madh në botë të EV që të hapte dyqan në Indonezi.

Por Tesla nuk është i vetmi prodhues i makinave që Indonezia ka synuar.  Në mars, Hyundai hapi një fabrikë të prodhimit të EV në West Java.  Toyota po konsideron të investojë 27.1 trilion rupiah (1.73 miliardë dollarë) në Indonezi gjatë pesë viteve të ardhshme për të prodhuar EV, ndërsa Mitsubishi Motors planifikon të investojë rreth 10 trilion rupiah në tre vitet e ardhshme për të prodhuar EV hibride dhe bateri.

Në prill, Indonezia Battery Corporation në pronësi shtetërore nënshkroi një projekt zhvillimi të baterive prej 15 miliardë dollarësh me Ningbo Contemporary Brunp Lygend të Kinës dhe LG Energy Solution të Koresë së Jugut.

Putra Adhiguna, analist i energjisë, tha se vendosja e automjeteve të gjelbra nga Indonezia për Samitin e G20 është "një fillim i mirë, por planet aktuale për përdorimin e EV-ve në rrugët e Indonezisë do të duhet të jenë më ambicioze".

Idoan Marciano, konsulent në Xhakartë, tha se pengesa më e madhe në zhvillimin e EV është "hendeku midis gatishmërisë së publikut për të paguar dhe kostos mesatare fillestare të EV".

Ai tha se Kina mund të ndihmojë në këtë proces, duke vënë në dukje se automjetet elektrike kineze "mund të jenë më të përshtatshme për publikun indonezian" duke pasur parasysh përballueshmërinë e tyre.