Laura Saro: Evolucioni është ligji i jetës
2022-11-11 09:29:11

Juristja 33 vjeçarja Laura Saro e lindur në qytetin e Fierit  kryer studimet bachelor për drejtësi dhe kriminologji në “University of Kent” në Angli” dhe master shkencor LLM në të drejtën ndërkombëtare dhe marrëdhënie ndërkombëtare në “University of Kent” ne Brukse. Ajo ka një eksperiencë pune 10-vjeçare në një sërë institucionesh shtetërore dhe është e integruar në sektorin privat të konsulencës ligjore dhe jo vetëm. Së fundmi Laura ka hartuar projektin" Vlerësimi i nevojave dhe rekomandime që kontribuojnë kundrejt integrimit rajonal ekonomik me fokus zgjerimin e bizneseve shqiptare në rajon".

Në kuadër të këtij projekti u përgatit ‘Studimi mbi Integrimin Rajonal Ekonomik dhe ndikimin ndaj bizneseve shqiptare’, nga grupi i projektit. Ky studim sasior dhe cilësor ishte një mundësi për shoqërinë civile të artikulojë një mesazh të “zëshëm” për nevojat dhe mjetet që mund të zhvillohen për të forcuar veprimin zhvillimor të shoqërisë civile si një aktor, faktor dhe partner i rëndësishëm në proceset integruese të vendit.

Hartimi i studimit synon të shërbejë  si pikë qendrore në dhënien e rekomandimeve për çështjet që lidhen me politikat e integrimit rajonal ekonomik, me qëllim gjenerimin e të dhënave të nevojshme për formulimin e politikave efektive.

Objektivat kryesore mbi bazë të të cilave u konceptua përgatitja e studimit ishin së pari, realizimi i raportit analitik me fokus vlerësimin e nevojave të lidhura me proçesin e integrimit rajonal ekonomik të Shqipërisë, nga aktorët jo-qeveritar; së dyti, identifikimi dhe prezantimi i gjetjeve dhe rekomandimeve të rëndësishme lidhur me nevojat e aktorëve potencial të shoqërisë sonë të lidhura drejtpërdrejt me proçesin e Integrimit Rajonal dhe Evropian të Shqipërisë; së treti, të ofrojë në funksion të institucioneve publike një pasqyrë sa më koherente të implikimeve dhe impaktit që procesi ka në Shqipëri, duke e mbështetur në opinionet dhe vlerësimet e aktorëve të përfshirë në studim; së katërti, të nxis reformat dhe të ushtrojë presion mbi qeverinë shqiptare dhe institucionet përkatëse, përgjegjëse për zbatimin e angazhimeve që rrjedhin nga Partneriteti Evropian me Shqipërinë, MSA-ja dhe raportet vjetore të Komisionit Evropian për Shqipërinë. Kjo synon edhe në përmirësimin e procesit të përafrimit dhe zbatimit të legjislacionit komunitar, si pasojë indirekte e studimit; së pesti, të informojë dhe ndërgjegjësojë grupet e interesit për të qenë aktorë pro-aktivë në fushën e integrimit në BE.

Laura Saro flet për jetën dhe punën e saj në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës

CMG: Laura për t'u bërë e sukseshme si kundër ju jeni sot, kush ju ka mbështetur?

Laura Saro: Unë kam qenë një nga ato vajza që e kam ndierë shumë të nevojshme mbështetjen e prindërve dhe një nga shtysat e mia me të mëdha janë pikërisht ata .
Kam pasur një jetë të bukur dhe me mbështetje morale dhe emocionale dhe nëse nuk do të ishte për prindërit e mi, nuk do të isha kjo që jam sot.
Çdo i ri apo e re në jeten e tij apo të saj ka nevojë për disa shtylla të forta ku të mbahet dhe mbështetet. Unë kam pasur dhe vijoj të kem shtylla shumë të forta.
CMG: Jeta juaj akademike në Londër pati sfida ?

Laura Saro: Jeta në tërësi ka sfida, nuk ka jetë pa sfida. Vetë ne jemi një sfidë e përditshme nga e cila duhet të dalim të fituar. Kur unë ika në Londer për studime aty kuptova një botë komplet ndryshe nga çfarë isha mësuar të jetoja.
Më është dashur të përshtatem qoftë në jetën akademike për të kuptuar se si funksionon sistemi, apo qoftë edhe në jetën e përditshme për të kuptuar si është jeta. Kultura të ndryshme dhe jetë plot dinamizëm kam përjetuar dhe ndoshta ky ka qenë nje faktor që unë të jem kjo që jam sot. Edhe sot unë kam ndërtuar një jetë dinamike të cilën e mësova gjatë viteve të studimit në Londër.
CMG: Laura , sa kohë keni që merreni me çështjet juridike  dhe si lindi dëshira për t'u bërë juriste?

Laura Saro: Unë në fakt kam dashur shumë profesionin e regjisores sepse aty jepja më tepër, por me kalimin e kohës ishte motra ime ajo që më shtyu të ndjek këtë profesion, pasi fuqia e fjalës ka qenë shumë e rëndësishme. Gjithmonë kam menduar që duhet të ndihmojmë shoqërinë për t'i dhënë një zgjidhje në çdo aspekt dhe nëse kjo mundësi të jepet nëpërmjet profesionit pse të mos investojmë aty .


CMG: Cila është eksperienca juaj më e bukur e punës?

Laura Saro: Unë kam punuar në vitet e studimeve në shtëpinë e të moshuarve, pikërisht aty ka qenë fitorja ime më e madhe, sepse kuptova çfarë është dashuria e vërtetë. . Më pas kam punuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme ku ka qenë një eksperiencë nga e cila kam dalë shumë e mësuar dhe kultivuar me dije.

Sapo isha kthyer në Tiranë dhe aty kuptova çfarë është jeta profesionale në Tiranë, sepse ishte puna ime e parë këtu.

CMG: Vlerësimi i nevojave dhe rekomandimeve që kontribuojnë kundrejt integrimit rajonal ekonomik me fokus zgjerimin e bizneseve shqiptare ne rajon, si lindi ky projekt?

Laura Saro: Qëllimi i këtij projekti është  të krijojë një platformë ndërveprimi të përbashkët, ku së pari do të identifikohen nevojat dhe do të ofrohen rekomandimet, duke shërbyer si një platformë fluide, ku bizneset e fushave të ndryshme në rajon të rrisin ndërveprimin, duke finalizuar edhe marrëveshje bashkëpunimi mes tyre.

CMG: Cilat janë objektivat tuaja?

Laura Saro: Identifikimi i nevojave të shoqërisë civile dhe biznesit/përfitimet e vendit tonë në kuadër të integrimit rajonal ekonomik, në fushën e tregtisë, investimeve, mobilitetit dhe modernizimit të ekonomisë, me fokus shoqërinë civile (përfshirë biznesin) Hartimi i një analize të thelluar në bazë të nevojave të identifikuara dhe prioriteteve për Shqipërinë mbi integrimin rajonal ekonomik (në rrafshin kombëtar, rajonal dhe europian) dhe rekomandimet përkatëse

Incentivimi i debateve publike, si impuls i integrimit të shoqërisë dhe zhvillimi i mjeteve në dorë të shoqërisë civile dhe biznesit për të kontribuar në oportunitetet e zhvillimit, që ende duhet të transformohen në burime të rritjes dhe të uljes së pabarazive/hendekut të zhvillimit socio-ekonomik

CMG: Me çfarë do të finalizohet ky projekt?

Laura Saro: Me një libër të vogël, por shumë të vlefshëm. Në libër do të ketë një raport analitik, i cili do të flasë për raportin e Shqipërisë në fushën e integrimit rajonal ekonomik, gjetjet e këtij studimi dhe rekomandime.

CMG: A keni zhvilluar aktivitete rreth këtij projekti, që mund të kenë qenë të nevojshme?

Laura Saro:  Në datën 05 Tetor 2022 u organizua nga ALS Consulting trajnimi me grupet e interesit. Aktiviteti u fokusua kryesisht tek informimi dhe trajnimi i përfaqësuesve të biznesit, OJF-ve dhe sektorin e arsimit, që operojnë në Tiranë mbi projektin ‘Vlerësimi i Nevojave dhe Rekomandime që kontribuojnë për Integrimin Rajonal Ekonomik me fokus zgjerimin e bizneseve shqiptare në rajon’ (mbështetur nga Ministria e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes).

Pas informimit rreth qëllimit, objektivave dhe aktiviteteve të projektit, u trajtuan cështjet themelore për të rritur kapacitetet e pjesëmarrësve mbi integrimin ekonomik rajonal, rritjen e efektivitetit të bashkëpunimit me fokus bizneset shqiptare në rajon, ndikimin e marrëveshjeve tregtare në rajon, përballimi i sfidave dhe problemeve të ekonomisë dhe tregtisë në rajon.

Një nga seksionet e trajnimit iu dedikua rezultateve të nxjerra nga përpunimi i pyetësorëve të zhvilluar me të anketuarit nga institucionet qëndrore, institucionet lokale, bizneset/sipërmarrjet private, universitetet, studentët, media dhe OJQ-të.

Intervistoi:Megi Latifi