Antonjo Gjonaj – Aktori i Netflix dhe bashkëpunimi me emrat më të mëdhenj të skenës botërore
2022-11-11 20:56:52


Tre vite pas filmit të parë me titullin “Sedër” këtë vit në kinematë e vendit u shfaq filmi "Sedër 2", me regji nga Marius Dervishi, me pseudonimin Zebervoki. Ky film sa komedi, aksion dhe  dramë, ka patur një kast aktorësh të njohur të skenës shqiptare si, Mariana Kondi, Bujar Asqeriu, Xhevahir Zeneli, Marius Dervishi, etj, por në film ka interpretuar gjithashtu edhe aktori shqiptar Antonjo Gjonaj, i cili pas eksperiencës së tij në Netflix, bashkëpunoi në filmin shqiptar "Sedër 2". 

Aktori shqiptar Antonjo Gjonaj, jeton dhe vepron prej vitesh  në Itali. Aktrimi ka qenë një dëshirë e tij e hershme, dhe gjithmonë ka menduar se një ditë do të bëhej aktor i famshëm.  E ndërsa emigroi drejt Italisë duke punuar intensivisht, dashuria për aktrimin vazhdoi të qëndrojë përherë e freskët, deri në momentin që ai rastësisht nëpërmjet një njoftimi të një kompanie filmi mësoi se kërkonin një figurant pa pagesë për një film që xhirohej në Itali në vitin 2017. Ishte thjesht një rastësi, apo dukej se ky ishte sinjali, që ndoshta ëndrrat dhe dëshirat e tij të merrnin formën e tyre të plotë. Në këto momente nisi edhe përkushtimi i tij drejt kinematografisë, duke zhvilluar në mënyrë intensive kurse aktrimi privatisht, për të mbërritur deri në finalizimin këtë  vit të Masterit që po kryen në Itali për Aktrim. Gjatë kësaj periudhe aktori shqiptar Antonjo Gjonaj, ka realizuar disa bashkëpunime me artistë të huaj, por edhe shqiptarë. Ai ka bashkëpunuar me studiot e filmit më të njohura ndërkombëtare si;   Eagle Pictures, Groenlandia, Marvel Studios, Mediaset, Sky Atlantic, Rai, etj. Gjithashtu projektet që ai a punuar janë; “Il re” në viti 2022 me regjizor Giuseppe Gagliardi,  “Giustizia per tutti” një mini serial televiziv i  vitit 2022 me regjizorin Maurizio Zaccaro , “Lidia poet” një  serial televiziv 2017-2020 me regji nga Letizia Lamartire dhe Matteo Rovere, “Cuori” serial televiziv i  vitit 2021 me regjisor Riccardo Donna, “ The King’s man” i  vitit 2021 me regjizor Matthew Vaughn, ku aktori shqiptar Antonjo Gjonaj luan rolin e ushtarit, si dhe policin civil të doganës. Ai ka bashkëpunuar në dy filma shqiptarë “Dashuria s’mjafton” në vitin 2018 me regjisorin  Drilon Hoxha  dhe pjesëmarrja në filmin  “Sedër 2” i vitit 2022 me regjisor Marius Dervishi. Aktori shqiptar Antonjo Gjonaj ka punuar gjatë kësaj periudhe me aktorë të njohur botëror si Ralph Fiennes, Matilda De Angelis, Raoul Bova, Luca Zingaretti,etj. 

Si ishin fillimet e tij në fushën e kinematografisë, si ka qenë eksperienca e të qënurit në të njëjtin kast me artistë me famë botërore, aktori Antonjo Gjonaj, do na i rrëfejë në intervistën e  tij ekskluzive për Grupin Mediatik të Kinës.

Aktori Antonjo Gjonaj (Foto personale )

Aktori Antonjo Gjonaj (Foto personale )

CMG: Si nisi rrugëtimi në fushën e kinematografisë? 

Antonjo Gjonaj: Unë gjithmonë kam patur dëshirën që të merresha me kinematografinë. Kur shihja filma mendoja të bëhesha edhe unë një ditë si ata. Vendosa të emigroja jashtë  vendit, ku synimi im ishte që pasi të sistemohesha me punë dhe me dokumentacionin përkatës, t’i kushtoja më shumë vëmendje pasionit që më shoqëronte brenda vetes. Dhe një ditë ndërsa po shkoja në punë, sapo kisha hapun një firmë ndërtimi, shoh një postim ku kërkonin aktor për një film, por pa pagesë dhe mendova ta provoj si mundësi. 

CMG: Janë mesazhe që nuk vijnë në mënyrë rastësore...

Antonjo Gjonaj: Po është e vërtetë, unë u dërgova e-mail dhe ata më kontakuan menjëherë. Filmi quhej “Jeruzalem” dhe fliste për bashkëjetesën ndërfetare, duke duke dhënë një mesazh pozitiv në botë. Nuk ishte ndonjë rol i madh, por ishte filmi i parë që kam bërë në Itali. 

CMG: Në çfarë viti ke qenë pjesë e këtij filmi dhe çfarë roli kishe? 

Antonjo Gjonaj: Filmi është xhiruar në vitin 2017 dhe unë aty kisha një rol figuranti special.

Antonjo  Gjonaj  me aktoret e filmit Seder 2 (Foto personale)

Antonjo  Gjonaj  me aktoret e filmit Seder 2 (Foto personale)

CMG: Ishte ky moment që zgjoi dëshirën tënde për t’u angazhuar me filmin? Si vazhdoi rrjedha jote artistike?

Antonjo Gjonaj: Dëshira ime ka qenë gjithmonë dhe ky moment për mua ishte sikur të kisha bërë një film në Hollivud. Më pas mu dha mundësia në Shqipëri ku mora pjesë tek filmi "Dashuria s'mjafton" me regjisorin shqiptar Drilon Hoxha,  i cili ka patur mjaft sukses,. Pas kësaj eksperience u ktheva në Itali, ku një nga agjensitë që unë bashkëpunoj, që janë njëra në Torino e tjetra  në Milano, më ftuan të merrja pjesë në një film ndërkombëtar dhe bëhej fjalë për filmin  e famshëm "The King's man" .  Kjo ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, pasi aty kam parë kinematografinë e një niveli real.  Kur shkonim për të xhiruar aty pashë  kamion dhe kamera sipër kamionit që xhironin, një staf shumë i madh që punonte, ishin tre ndihmës regjisorë. Kjo për mua ishte një eksperiencë shumë e mirë, ka qenë një film shumë i rëndësishëm për mua si aktor. 

Aktori Antonjo Gjonaj (Foto personale)

Aktori Antonjo Gjonaj (Foto personale)

CMG: Gjatë kësaj periudhe ti je njohur me aktorë të famshëm ndërkombëtarë, por na trego se si ka qenë kjo eksperiencë, takimi me ta? 

Antonjo Gjonaj: Të takosh artistët e Hollivudit, të arrish të flasësh me ta nuk është e lehtë. Ata vijnë të xhirojnë pjesën e tyre dhe aktorët  e  tjerë që mund të kenë role më të vogla nuk arrijnë të kenë shumë kontakte me ta. Në përgjithësi kur ne shkonim në sheshxhirime me ta, rregulli ishte që t’i mblidhnin të gjitha telefonat, në mënyrë që të mos bëhen foto, video apo të mos kenë asnjë lloj kontakti të drejtpërdrejtë për të shkëmbyer numrat e telefonit me njëri – tjetrin. Edhe unë e mësova këtë gjë dhe herës tjetër mora dy telefona me vete, një që e dorëzoja dhe  një tjetër që e merrja me vete për të shkëmbyer ndonjë kontakt apo për të bërë ndonjë foto (qesh).  

Nuk është e lehtë të hysh në botën e tyre se janë personazhe të një niveli që të gjithë duan të flasin, të gjithë duan të bashkëpunojnë. Vërtetë janë kolegë, por kanë shumë stres, kanë skenarin për të mësuar  dhe puna sigurisht që është primare dhe nuk janë aty për të bërë foto. Të flasësh, t’i takosh ata dhe të mësosh diçka prej tyre është shumë e  rëndësishme. Kjo ka qenë  një eksperiencë fantastike për mua, që vija nga Shqipëria, një vend i vogël, nga situata komplet të ndryshme me ato çfarë ka Hollivudi  dhe të arrish të jesh në të njëjtin vend, në të njëjtin sheshxhirimi me aktorët e hollivudit, nuk është e lehtë. 

Aktoret Antonjo Gjonaj dhe Luca Zingaretti gjate xhirimeve ne Itali (Foto personale)

Aktoret Antonjo Gjonaj dhe Luca Zingaretti gjate xhirimeve ne Itali (Foto personale)

CMG: Na trego disa nga emrat e aktorëve ndërkombëtarë me të cilët ke bashkëpunuar?

Antonjo Gjonaj: Nga viti 2017 dhe deri tani kam patur fatin që të punoj me kolegë të mrekullueshëm shqiptarë dhe ndërkombëtarë. Gjej rastin që të përshëndes këtu disa nga këta kolegë si, Ralph Fiennes që është një aktor shumë i njohur në gjithë botën, i cili ka bërë role shumë të veçanta dhe që njihen në nivel botëror, gjithashtu dhe  Matilda De Angelis një aktore shumë e talentuar dhe që po arrin të kapë shkallët e suksesit, gjithashtu edhe Raoul Bova, Luca Zingaretti,etj. Gjej rastin të përshëndes edhe kolegët shqiptarë me të cilët kam bashkëpunuar si, aktori Genti Kame me të cilin kam punuar në një projekt italian, jemi njohur dhe kemi bashkëpunuar në Torino, po ashtu Marjus Dervishi ku kam patur rastin që të bashkëpunoj me të, si dhe Xhelal Ferron. 

CMG: Cilat janë planet e tua në vazhdim? 

Antonjo Gjonaj: Kam dëshirë që të merrem me shumë projekte, kurdo që të jetë mundësia, si thonë në Itali një shprehje "Nuk bën të vesh shumë mish në zjarr, se asgjë nuk piqet dhe ikën e gjitha kot". Objektivi im është që të krijoj një personazh, një figurë të një aktori shqiptar, pra  një profesionist në fushën e kinematografisë, marr si shembull aktorin shqiptar Jim Belushi, pra personazhet e këtij niveli. Sa i përket roleve unë preferoj më tepër rolet e aksionit, por jam i hapur edhe për projekte të tjera, jam elastik në këtë pjesë. 

Aktori shqiptar Antonjo Gjonaj, ndër të tjera premton se do të vazhdojë të jap maksimumin e tij në fushën e kinematografisë, për të ngritur sa më lart emrin e Shqipërisë  në skenat e kinematografisë botërore. Këtë e tregon përkushtimi i tij, dashuria për artin dhe serioziteti në punë, që janë gjithçka i duhen një artisti që karriera e tij të zhvillohet gjithnjë e më tepër. 

Intervistoi: Sava Lena