Mekanizmi Kinë-EQL mirëpret dhe nxit hyrjen e produkteve shqiptare në tregun kinez
2022-11-11 11:34:00


Gjatë takimit të enjten në kryeqytetin shqiptar me përfaqësues të Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe të Industrisë së Shqipërisë, Përfaqësuesja e posaçme e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës për bashkëpunimin Kinë-Europë Qendrore e Lindore, ambasadorja Jiang Yu, u shpreh se Kina i përkushtohet zhvillimit të bashkëpunimit miqësor me vendet e Europës Qendrore e Lindore, duke përfshirë Shqipërinë, dhe mirëpret produktet cilësore karakteristike shqiptare të futen në tregun kinez.

Të pranishmit në takim diskutuan për mundësinë e shtimit të produkteve shqiptare në tregun e madh kinez. Përfaqësues të biznesit nga qyteti Ningbo i Kinës lindore, ku që nga viti 2014 zhvillohet panairi i produkteve nga vendet e EQL-së ishin në lidhje video me takimin. Ndërkohë në takim kompanitë shqiptare pjesmarrëse  kishin ekspozuar disa nga prodhimet e tyre, si një ofertë e mundshme për tregun kinez.

Gjatë qëndrimit në Shqipëri delegacioni kinez i kryesuar nga Përfaqësuesja e posaçme e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës për bashkëpunimin Kinë-Europë Qendrore e Lindore, ambasadorja Jiang Yu u prit në takime të veçanta nga presidenti i Republikës Bajram Beqaj, zëvendësministrja  e jashtme  Artemis Malo dhe  kryetari i Grupit të Miqësisë Shqipëri-Kinë të Kuvendit të Shqipërisë Bardhyl Kollçaku. (Irma)