A duhet nxitur kreativiteti tek fëmijët?
2022-11-10 10:10:06


Kreativiteti është pjesë e rëndësishme e zhvillimit të fëmijës. Lojërat janë shumë të rëndësishme, por ato nuk duhet të kenë vetëm qëllim argëtues, por duhet të nxisin dhe inteligjencën dhe kreativitetin tek fëmijët. Për këtë nuk nevojitet detyrimisht shumë kohë.

Është e rëndësishme të nxisni me fëmijën biseda të thjeshta, por që në thelb janë krijuese. Mund ta pyesni fëmijën për gjëra të çuditshme, në mënyrë që ata të vënë në punë imagjinatën. Mund t’i thoni “Ku do të shkoje nëse do ishe zog dhe do mund të fluturoje?”. Gjithashtu e rëndësishme për fëmijën është edhe liria. Kur të ndodheni në natyrë, lërini ata t’ju udhëheqin, bëni çfarë ata duan në mënyrë që të kuptoni çfarë dëshirojnë e për çfarë kanë nevojë. Diskutoni për momentet e bukura gjatë ditës përpara se të shkoni për të fjetur, tregojini fëmijës se cila ishte gjëja më e bukur që bëtë atë ditë. Pyeteni edhe atë, që ta bëni të mendohet e t’ju tregojë. Mos caktoni orar fiks për lojërat, por lëreni fëmijën që të luajë kur atij  t’i vijë natyrshëm frymëzimi. Lërini të eksperimentojnë edhe nëse bëjnë gabime, mos i ndaloni. Fëmijët janë tepër kurioz dhe “shkencëtarë të vegjël” që mësojnë përmes eksperimentimit.  Mos u shqetësoni për rrëmujën, studimet kanë treguar se nëpërmjet rrëmujës dhe shkatërrimit të lodrave fëmijët mësojnë shumë.

E ftuar në Grupin Mediatik të Kinës për të diskutuar rreth kësaj teme është e ftuar psikologe, Loreta Kruja.

CMG: A janë të gjithë fëmijët creative ?

Loreta Kruja: Një pyetje shumë interesante, shumë psikologjike, sociale dhe emocionale njëkohësisht, dhe një temë shumë për t’u vlerësuar, duke qenë se fëmijët kalojnë një kohë shumë të gjatë në rrjetet sociale. Kjo na bën të mendojmë dhe të shkojmë thellë në psikologjinë, thellë  tek një fëmijë. Sigurisht që të gjithë fëmijët janë kreativë dhe kjo nuk ka diskutim. Çdo fëmijë në kreativitetin e tij ka personalitetin   e tij, ka një individualitet  dhe një personalitet të veçantë, ka disa pika të forta të veçanta. Kjo e bën fëmijën unik dhe e dallon, pra i bën të dallueshëm nga njëri-tjetri.  

CMG: A duhet t’i pyesim fëmijët për dëshirat e tyre?

Loreta Kruja: Sigurisht që fëmijët duhen pyetur për dëshirat, është shumë e rëndësishme që të pyeten. Është e rëndësishme të kuptojmë, cilat janë dëshirat e tyre, ëndrrat e tyre, gjërat që ata pëlqejnë dhe cilat janë dhe gjërat që ata nuk pëlqejnë, sepse duke kuptuar dëshirat dhe ëndrrat e fëmijëve, ne do të fuqizojmë këto dëshira dhe do t’i ndihmojnë ata fëmijë që t’i realizojnë ëndrrat e tyre.

CMG: Si mund ta nxisim kreativitetin tek fëmijët?

Loreta Kruja:  Sigurisht që ka disa metoda që ne mund të nxisim kreativitetitn e këtyre fëmijëve që ata të shprehin talentet, dëshirat, dhe ëndrrat e tyre. Sigurisht që duhet t’i përfshijmë këta fëmijë në grupe të përbashkëta me fëmijë dhe bashkëmoshatarë të tjerë, të të njëjtës moshë, t’i përfshijmë në tema psiko-sociale, lojëra dhe aktivitete të përbashkëta si në art-kraft, në ngjyrosje, në aktivitete që ata i pëlqejnë.  Sepse në momentin që fëmijët vizatojnë, shkruajnë, ngjyrosin, të gjithë këta element flasim më shumë sesa vetë fëmijët nëpërmjet fjalëve, duke i përfshirë në lojëra psiko-sociale, ku fëmijët shprehin personalitetin dhe karakterin e tyre individual. Dikush mund të jetë më hiperaktiv, dikush mund të jetë më  i tërhequr, dikush mund të jetë më emotiv. Të gjitha këto na bëjnë që të pikasim se cilat janë pikat e forta të fëmijëve, çfarë kreativiteti kanë fëmijët, cilët janë talentët që kanë fëmijët.

CMG: A duhet të mësojnë fëmijët nga njëri-tjetri për të krijuar edhe ata? Dhe si mund t’ua shprehim ne këtë gjë?

Loreta Kruja: Sigurisht që fëmijët në ndërveprim me njëri- tjetrin, bashkëveprojnë, por edhe puna në grup është një element shumë të rëndësishëm. Puna në grup i fut fëmijëve shpirtin e garës dhe konkurencës, nxit tek fëmijët për të shkuar deri në “finish”, prandaj ata duhet të bashkëpunojnë me njëti- tjetrin, që të mësojnë më shumë duke luajtur. Në këto momente ata shprehin kreativitetin e tyre të cilat nuk mund t’i shprehin dot me fjalë, por i shprehin nga mënyra se si ndërveprojnë dhe si reagojnë në situata të caktuar. Të gjitha këto bëjnë që ne të kuptojmë personalitet e fëmijëve dhe karakteristikat e veçanta të tyre në mënyrë të veçantë.  

CMG: Në qëndrën tuaj vijnë vetëm fëmijë me probleme zhvillimi apo fëmijë  të ndryshëm?

Loreta Kruja: Unë kam  një eksperiencë 8 vjeçare që merrem me fëmijët. Tashmë kam hapur qëndrën sociale  “Emanuel” në qytetin e Lushnjes bashkë me kolege, psikologen Arizona Nuka,  e cila është një qëndër sociale ku ofrohen terapi zhvillimi për fëmijët  dhe jo vetëm për personat me aftësi ndryshe, por do funksionojë edhe si një qëndër këshillimi psikologjik, ku do jenë të përfshira të gjitha shërbimet psiko-sociale. Sigurisht që fëmijët janë fokusi ynë sepse ne kemi një parim në qëndrën tonë, ”Shëndeti mendor i fëmijëve është i pari”.

-Disa ide për lojëra dhe për të nxitur imagjinatën e fëmijës:

Tregoni histori dhe lexoni libra. Shkoni për një shëtitje në natyrë ose luani jashtë. Angazhoni fëmijën tuaj t’ju ndihmojë me punët e thjeshta shtëpiake. Ndani kohë për të pushuar dhe ëndërruar. Shtrihuni në shpinë së bashku dhe shikoni retë dhe qiellin. Imagjinoni cilat mund të jenë format e ndryshme.  

Zhvillimi i imagjinatës është shumë  i rëndësishëm  dhe kreativiteti sidomos tek fëmijët parashkollorë.

Loja e nxit kreativitetin dhe imagjinatën tek fëmijët e moshës parashkollore, ndërsa vitet e moshës parashkollore mund të jenë një nga periudhat më kreative në jetën e një fëmije.

Ndërsa imagjinata e tyre rritet, loja u jep mundësi fëmijëve parashkollorë:

të ndërtojnë vetëbesimin,  t’i shprehin ndjenjat dhe t’i mësojnë aftësitë komunikuese, të zhvillojnë, praktikojnë dhe përmirësojnë koordinimin dhe aftësitë motorike, të praktikojnë vendimmarrjen, zgjidhjen e problemeve dhe të menduarit kritik, t’i gjurmojnë idetë në një mjedis të sigurt. Të gjitha këto janë aftësi shumë të rëndësishme për vitet parashkollore, por dhe më gjerë.

Intervistoi: Sava Lena