Inflacioni dhe aborti kryesojnë listën e shqetësimeve të votuesve në zgjedhjet afatmesme në SHBA
2022-11-10 11:26:17

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Inflacioni dhe aborti kryesuan listën e çështjeve të identifikuara nga votuesit amerikanë si më të rëndësishmet për votat e tyre në zgjedhjet afatmesme të vitit 2022 në SHBA, sipas një sondazhi të publikuar të martën në mbrëmje.

Anketa e “NBC News” zbuloi se gati një e treta e votuesve përmendën inflacionin dhe 27 për qind përmendën abortin kur u pyetën se cila çështje kishte më shumë rëndësi këtë vit, citon “Xinhua”.

Pas këtyre shqetësimeve ishin politikat ndaj krimit dhe armëve, secila e përmendur nga 12 për qind e votuesve, e ndjekur nga emigracioni, i cili ishte 10 për qind.

Në të gjithë vendin, kandidatët republikanë kanë theksuar krimin, inflacionin dhe emigracionin si pjesë të mesazheve të tyre të fushatës.

Shumë votues republikanë ndanë këto shqetësime, tregoi sondazhi i “NBC”, me 44 për qind që përmendin inflacionin si çështjen më të rëndësishme, ndjekur nga emigracioni.

Demokratët ishin jashtëzakonisht të shqetësuar për abortin, me 46 për qind që e quanin atë si çështjen më të rëndësishme, të ndjekur nga inflacioni dhe politika e armëve. (Elona)