Zyrtarët e BE-së paralajmërojnë për ngadalësim ekonomik
2022-11-09 17:37:52

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Komisioneri Evropian për Ekonominë, Paolo Gentiloni, paralajmëroi të hënën se ekonomia evropiane po ngadalësohet. Në një konferencë për shtyp të Eurogrupit, Gentiloni tha se parashikohet një tkurrje të paktën për muajt e dimrit për shkak të krizës energjetike dhe inflacionit të lartë, citon “Xinhua”.

“Nëse shikojmë treguesit me frekuencë të lartë dhe ndjenjën ekonomike, shohim se shumë gjëra tregojnë për një tkurrje të aktivitetit ekonomik këtë dimër”,- tha Gentiloni.

Paschal Donohoe, president i Eurogrupit, tha se të gjithë e dinë se ekonomia brenda zonës së euros po ngadalësohet. Në tetor, rritja ekonomike e zonës shënoi vlerën 0.5 për qind.

Ministrat e Financave, që përfaqësojnë zonën e euros me 19 vende, u takuan në Bruksel të hënën për të diskutuar mbi zhvillimin ekonomik të eurozonës, si dhe masat buxhetore për të zbutur ndikimin e çmimeve të larta të energjisë.

Sipas vlerësimeve të Komisionit, qeveritë e eurozonës deri më tani kanë shpenzuar kolektivisht rreth 200 miliardë euro ose 1.25 për qind të produktit të brendshëm bruto të Bashkimit Evropian për mbështetjen e energjisë.

Gentiloni tha se rreth 70 për qind e masave mbështetëse të miratuara nga shtetet anëtare deri tani janë të pasynuara, që do të thotë që nga ato përfitojnë të gjithë ose një pjesë shumë e madhe e popullsisë.

“Sigurisht që jemi të vetëdijshëm se shënjestrimi nuk është gjithmonë i lehtë, politikisht dhe teknikisht, veçanërisht nëse duhet të reagoni shumë shpejt. Kjo është edhe arsyeja pse kemi pritshmërinë që ky shënjestrim i masave mund të përmirësohet në muajt e ardhshëm”- shtoi ai.

Donohoe tha se ministrat theksuan sfidat e mbështetjes së konsiderueshme dhe menaxhimin efektiv të shkëmbimit midis uljes së inflacionit, duke mbështetur si familjet e cenueshme ashtu edhe konkurrencën ndërkombëtare të zonës euro. (Elona)