Shkencëtarja shqiptare në Harvard: Kam ndikuar në jetën e 10 mijë studentëve
2022-11-08 11:18:47

Profesoresha shqiptare në “Harvard”, Detina Zalli” ka shprehur në rrjetet sociale trishtimin e saj pas etiketimeve negative që disa media dhe zyrtarë të lartë britanike kishin bërë për emigrantët shqiptarë të cilët jetojnë në Britani të Madhe.

Situata e krijuar, i ka kujtuar asaj moshën 13-vjeçare kur kishte mbërritur me familjen e saj në Britani, me qëllim për të shpëtuar nga situata e vitit 1997 në Shqipëri, citojnë mediet shqiptare.

“Ndjej se është e rëndësishme të ngre zërin për të shpëtuar fëmijët e tjerë shqiptarë që shkojnë në shkollat e Mbretërisë së Bashkuar dhe që mund të përjetojnë bullizëm. Shpresoj që media në Mbretërinë e Bashkuar të reflektojë për këtë”,- shkruan Detina Zalli.

“Unë kam ndikuar në jetën e më shumë se 10.000 studentëve nga prejardhje të ulët socio-ekonomike në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA, Indi, Kinë dhe Evropën Lindore. Kam ndihmuar refugjatët, emigrantët dhe pacientët me kancer dhe do të vazhdoj ta bëj këtë. Unë jam shqiptare, ashtu siç ishte nënë Tereza. Kam punuar në disa nga universitetet më prestigjioze në botë. Por për mua promovimi më i madh është të qenit njeri. Pavarësisht se nga jeni, ne flasim të njëjtën gjuhë. Gjuhën e ADN-së”,- shkruan Zalli në postimin e saj. (Fatosi)