Analistët evropianë: Vizita e Scholz-it në Kinë do të forcojë marrëdhëniet kino-gjermane dhe kino-evropiane
2022-11-04 18:50:43

foto: VCG

foto: VCG

Të premten kancelari gjerman Olaf Scholz bëri vizitën e tij të parë në Kinë që prej marrjes së postit dhe u takua me liderët kinezë. Analistët nga shumë vende evropiane besojnë se, në situatën e tanishme të trazuar ndërkombëtare, vizita e Scholz-it do të ndihmojë në forcimin e marrëdhënieve kino-gjermane dhe kino-evropiane.

Scholz-i u shoqërua në vizitën e tij në Kinë nga një numër drejtuesish të lartë të biznesit gjerman. Martin Brudermüller, kryetar i bordit ekzekutiv të gjigantit gjerman BASF, tha në një intervistë që vizita në Kinë e kreut të qeverisë gjermane ishte një "sinjal i mirë" se pala gjermane është "e hapur për dialog" dhe "vazhdon të jetë e interesuar për lidhjet me Kinën". Në shtator të këtij viti, Grupi BASF zhvilloi një ceremoni për përurimin e njësisë së parë të një projekti në Zhanjiang të provincës Guangdong të Kinës,me një investim 10 miliardë euro, duke treguar se kompania i kushton rëndësi të madhe tregut kinez.

Profesori italian i ekonomisë politike ndërkombëtare Fabio Massimo Parenti theksoi se kjo është vizita e parë e një lideri evropian në Kinë që nga shpërthimi i epidemisë së koronavirusit, e cila sinjalizon se shkëmbimet diplomatike dhe politike Kinë-BE janë kthyer në normalitet. Veprimi i Gjermanisë tregon se marrëdhëniet Kinë-BE nuk mund të prishen dhe se vetëm duke forcuar lidhjet me Kinën, Evropa mund ta kapërcejë krizën ekonomike e energjetike dhe të kthehet në rrugën e zhvillimit të qëndrueshëm.

Marsela Musabelliu, drejtore ekzekutive e Institutit Shqiptar për Studimet e Globalizimit, u shpreh se fakti që kjo vizitë në Kinë bëhet nga lideri i një prej vendeve më pragmatike në Evropë ka krijuar një reaksion zinxhir edhe për vendet e tjera të Unionit. Sipas saj, rigjetja e balancës Kinë-Evorpë, përtej paragjykimeve, është ajo çfarë i duhet më shumë se kurrë botës sot.