“Expocity Albania” sjell panairin e ndërtimit “Build & Live Smart Expo 2022”
2022-10-29 17:31:10

Expocity Albania (Foto Rtsh)

Expocity Albania (Foto Rtsh)


Një platformë e rëndësishme komunikimi për aktorët e rinj më të rëndësishëm në sektorin e ndërtimit, arkitekturës, urbanistikës dhe publikut të gjerë është paraqitur në panairin “Build & Live Smart Expo 2022”, që u çel në Tiranë.

Drejtoresha ekzekutive e “Expocity”, Aulona Hoxha, theksoi rëndësinë dhe ndikimin kryesor në jetën e secilit prej elementëve kryesorë në sektorin e ndërtimit. Ajo gjithashtu ftoi kompanitë që të kenë sa më shumë bashkëpunim mes kompanive pjesëmarrëse, shkruan “RTSH”.

Zv.kryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, deklaroi se ky panair është i një rëndësie shumë të madhe pasi i ka munguar prej kohësh tregjeve të Shqipërisë dhe prek një nga degët kryesore të zhvillimit të ekonomisë së vendit. Ai u shpreh gjithashtu se në një kohë kur kriza e energjisë dhe e çmimeve po e mbajnë këtë sektor në një situatë të paqëndrueshme, bashkëpunimi ndërmjet kompanive duhet të jetë thelbësor.

Një tjetër element që u prek nga përfaqësuesit e industrisë është kombinimi i energjisë së rinovueshme në ndërtimet e reja. Zëvendësministri i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Ilir Beitja, tha se nevojitet për një kombinim midis energjisë së rinovueshme dhe industrisë së ndërtimit, në mënyrë që të ketë banesa që furnizohen plotësisht vetë me energji elektrike.

Zv.kryetarja e Dhomës së Biznesit të Diasporës, Elisabeta Katiaj, inkuranjoi bizneset që të vazhdojnë më shumë bashkëpunimin edhe pas panairit, për të arritur me të vërtetë qëllimin kryesor të këtij eventi. (Irma)