Porti grek i Pireut pati rezultate pozitive në periudhën janar-shtator
2022-10-28 11:00:11

Foto: VCG

Autoriteti Portual i Pireut në Greqi (PPA S.A.) njoftoi një rritje prej 28.02 për qind të të ardhurave në nëntë muajt e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021-shit.

Porti i kontrolluar nga Kina njoftoi se të ardhurat e tij arritën në 145.8 milionë euro (146.76 milionë dollarë amerikanë) midis 1 janarit dhe 30 shtatorit, krahasuar me 113.8 milionë euro në të njëjtën periudhë të vitit 2021, përcjell “Xinhua”.

Fitimi bruto ishte rreth 83.1 milionë euro në të njëjtën periudhë, nga 55.8 milionë euro në nëntë muajt e parë të vitit 2021. Kjo paraqet një rritje prej 49.06 për qind.

“Numri i anijeve turistike që kanë hyrë në port në nëntë muajt e parë të vitit 2022 është rritur me 87.9 për qind krahasuar me vjet (511 kundrejt 272)”,-njoftoi “PPA”.

Gjithashtu u regjistrua një rritje prej 207.6 për qind e pasagjerëve në nëntë muajt e parë të vitit, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 (632.642 pasagjerë krahasuar me 205.700 në vitin 2021).

“COSCO Shipping” e Kinës mori shumicën e aksioneve të PPA-së në vitin 2016 pas një tenderi ndërkombëtar. Filiali i kompanisë, “PCT”, ka menaxhuar terminalet e kontejnerëve të portit që nga viti 2009. (Irma)