“Dritarja e librave kinezë” në Maltë, e para e këtij lloji në Evropë
2022-10-27 14:49:23

Foto: VCG

“Dritarja e librave kinezë”, nisma e parë e këtij lloji në Evropë, u prezantua të martën, me një ceremoni online të dhurimit të librave nga biblioteka Jinling e Kinës për bibliotekat e Maltës.

Veprimtaria online u mbajt në Bibliotekën Publike Qendrore në Floriana, Maltë, bën të ditur “Xinhua”.

Më shumë se 200 libra u dhuruan nga biblioteka e Jinling në Nanjing, kryeqendra e provincës Jiangsu të Kinës lindore. Ato mbulojnë fusha të tilla si letërsia dhe arti i lashtë kinez, historia, gjeografia dhe politika, ekonomia, kultura, turizmi dhe ushqimi kinez.

Ministri maltez për Trashëgiminë Kombëtare, Artet dhe Qeverisjen Lokale, Owen Bonnici, dhe ambasadori kinez në Maltë, Yu Dunhai, përshëndetën bashkëpunimin. Ata shprehën gjithashtu besimin se librat e dhuruar do të hapin një dritare të re të të kuptuarit të kulturës, historisë dhe zhvillimit shoqëror kinez për popullin maltez.

Malta dhe Kina kanë zhvilluar marrëdhënie të gjalla kulturore, tha zëvendësdrejtoresha e Ministrisë malteze për Çështjet e Jashtme dhe Evropiane, duke shtuar se mundësitë që dalin nga nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit do të rrisin më tej bashkëpunimin.

Librat e dhuruar të martën jo vetëm që ofrojnë një mini-enciklopedi të kulturës dhe turizmit kinez, por janë gjithashtu një dhuratë e çmuar miqësie nga populli i Nanjing për popullin maltez, tha Yuan Yuan, drejtor i Qendrës Kulturore të Kinës në Maltë.

Biblioteka Jinling është fokusuar gjithmonë në përdorimin e librave si një urë për të kuptuar kulturën kineze për qytetarët globalë, tha drejtori i Bibliotekës, Jiao Xiang.

Biblioteka Jinling, e themeluar në vitin 1927, krijoi “Dritaren e librave kinezë” për herë të parë në Nigeri në vitin 2013. Tani ka 11 të tilla në mbarë botën. (Elona)