UNICEF: Thuajse çdo fëmijë në tokë do të vuajë nga valët e të nxehtit deri në vitin 2050
2022-10-27 14:53:42

Foto: VCG

Moti i nxehtë është bërë një rrezik për shëndetin për shumë kombe, por të dhënat e reja tregojnë se pothuajse çdo fëmijë në tokë do të preket nga valët e të nxehtit deri në vitin 2050, paralajmëroi të martën Fondi i OKB-së për Fëmijët (UNICEF).

Sipas agjencisë së OKB-së, të paktën gjysmë miliardë të rinj janë tashmë të ekspozuar ndaj valëve të të nxehtit për shkak të ndryshimeve klimaterike, bën të ditur “Xinhua”.

Nga mesi i këtij shekulli, vlerësohet se më shumë se 2 miliardë fëmijë do të ekspozohen ndaj valëve të të nxehtit më të shpeshta, më të qëndrueshme dhe më të rënda.

“Kriza klimaterike është një krizë e të drejtave të fëmijëve”,- paralajmëroi drejtoresha Ekzekutive e UNICEF-it, Catherine Russell.

Zjarret dhe valët e të nxehtit të këtij viti që kanë përfshirë Indinë, Evropën dhe Amerikën e Veriut ishin një shembull i ndikimit të ndryshimit të klimës te fëmijët, shtoi ajo.

Të dhënat e reja të publikuara në raportin e agjencisë nënvizojnë se fëmijët e vegjël përballen me rreziqe më të mëdha se të rriturit kur përballen me ngjarje ekstreme të nxehtësisë.

Kjo është për shkak se ata janë më pak në gjendje të rregullojnë temperaturën e trupit të tyre në krahasim me të rriturit. Sa më shumë të ekspozohen fëmijët ndaj valëve të të nxehtit, aq më e madhe është mundësia e problemeve shëndetësore, duke përfshirë sëmundjet kronike të frymëmarrjes dhe sëmundjet kardiovaskulare.

“Bota duhet urgjentisht të investojë në përshtatjen e të gjitha sistemeve ku fëmijët mbështeten për të përballuar sfidat e një klime që ndryshon me shpejtësi”,- bëri të ditur UNICEF-i.

Fëmijët duhet të mbrohen nga ndikimet e përshkallëzuara të valëve të të nxehtit, bëri të ditur UNICEF-i, në një thirrje për masa urgjente dhe dramatike për zbutjen e emetimeve për të përmirësuar ngrohjen globale.

Fëmijët në rajonet veriore do të përballen me rritjen më dramatike të ashpërsisë së valës së nxehtë, ndërsa deri në vitin 2050, gati gjysma e të gjithë fëmijëve në Afrikë dhe Azi do të përballen me ekspozim të vazhdueshëm ndaj temperaturave ekstreme të larta mbi 35 gradë celsius, treguan të dhënat e UNICEF-it. (Elona)