Hyn në fuqi Akti Normativ, shteti shqiptar merr masa për të kursyer energjinë
2022-10-21 10:42:28

Hyn në fuqi Akti Normativ i qeverisë shqiptare për masat detyruese për kursimin e energjisë elektrike, me qëllim reduktimi i konsumit të energjisë elektrike në institucionet publike në masën 15%, shkruan “RTSH”.

Sipas këtij Akti Normativ, institucioneve publike u ndalohet përdorimi i ajrit të kondicionuar në temperaturë më të ulët se 27 gradë gjatë verës dhe më të lartë se 21 gradë gjatë dimrit. Po ashtu, do të ndërpritet ndriçimi rrugor i rrugëve ndërqytetëse kryesore dhe dytësore, ndriçimi i jashtëm i objekteve të kulturës, monumenteve, shesheve dhe shatërvanëve.

Në rast të shkeljes së këtyre detyrimeve, gjoba është 50 mijë lekë për titullarin e institucionit apo administratorin. Ky dokument nuk do të jetë i zbatueshëm për spitalet, shkollat, kopshtet dhe komisariatet. (Irma)