Terminali i parë i logjistikës 5G i Evropës hapet në Hungari
2022-10-20 11:38:24

Foto nga Xinhua

Foto nga Xinhua

Terminali i parë i logjistikës intermodale me bazë tokësore në Evropë duke përdorur teknologjinë 5G u hap të martën pranë fshatit Fenyeslitke në Hungarinë Lindore.  

Rrjeti 5G i kërkuar për projektin “East-West Gate” (EWG) u ndërtua nga “Vodafone Hungaria” dhe pajisjet e rrjetit u furnizuan nga kompania kineze “Huawei”, citon “Xinhua”.  

Terminali, i ndërtuar me një kosto prej mbi 40 miliardë forinte (95.3 milionë dollarë amerikanë), do të jetë në gjendje të trajtojë deri në një milion kontejnerë në vit, duke e bërë atë objektin më të madh të tillë në kontinent për sa i përket kapacitetit.  

“Tashmë Hungaria është kthyer në hartën e logjistikës ndërkombëtare hekurudhore”,- deklaroi Janos Talosi, drejtori ekzekutiv i kompanisë investitore “East-West Intermodal Logistics”. Sipas tij, në terminal janë instaluar teknologjitë më të avancuara, duke e bërë transportin më të shpejtë dhe më të saktë.  

“Vizioni ynë ishte që “EWG” të bëhej një portë për Rrugën e re të Mëndafshit”,- deklaroi ai për “Xinhua”.  

Ai theksoi se Kina po promovon teknologjinë moderne në kuadër të nismës “Një brez, një rrugë”, ndaj nuk është rastësi që “EWG” zgjodhi një rrjet privat 5G më të avancuar të ofruar nga “Huawei”.  

“EWG” është terminali i parë në Evropë që kontrollon vinçat nga distanca duke përdorur teknologjinë 5G. Terminali ka një vinç gjigant 41 metra të gjerë dhe dy vinça gjigantë 28 metra të gjerë në shina.  

Vinçat, të furnizuar nga kompania austriake “Kunz”, janë të pajisur me kamera me rezolucion të lartë, pamjet e të cilave, me ndihmën e 5G, mund të shihen në kohë reale në qendër të terminalit, duke u mundësuar punëtorëve të kontrollojnë vinçat sikur të punonin në kabinat e këtyre makinerive.  

“EWG” ka gjithashtu një kapacitet të konsiderueshëm për transportimin e produkteve bujqësore dhe së shpejti mund të bëhet qendra më e madhe hekurudhore për eksportet e ushqimit të Ukrainës. Treni i parë që transportonte mallra bujqësore nga Ukraina u fut në terminal gjatë ceremonisë së hapjes.  

Nga nëntori i vitit 2022, terminali pritet të jetë në gjendje të trajtojë 800 tonë grurë dhe 450 metra kub vaj luledielli në orë, duke e bërë atë qendrën më të madhe hekurudhore për eksportet e ushqimit ukrainas, sipas kompanisë. (Elona)