Gerti Boshnjaku “AllWeb Albania” sjell në Tiranë ekspertë nga bota
2022-10-18 10:41:07

Gerti Boshnjaku është CEO dhe Themelues i New Media Group, kompani Komunikimi dhe  Marketingu e specializuar në Dizajn dhe Zhvillim të, Uebfaqeve, Aplikacioneve dhe Mediave Digjitale. Karriera e tij përfshin 21 vite eksperiencë në industrinë e Marketingut dhe Reklamimit, duke punuar në kompani të njohura në Shqipëri dhe duke menaxhuar operacionet e biznesit të grupit të tij të kompanive, të cilën ai e ka themeluar që nga viti 2009.

Puna e Gertit me një sërë klientësh kombëtarë dhe ndërkombëtarë e ka angazhuar atë në shumë projekte ku kanë pasur nevojë për ekspertizë në Planifikimin Strategjik dhe Konsulencë Marketingu, Menaxhimi i Projekteve në internet, Zhvillimi i Biznesit, Strategjia e Komunikimit, Planifikimi dhe Blerja e Medias, Identiteti i Markës, Aktivitetet dhe Promovimet e PR. Gjatë viteve të punës në New Media Communications, Gerti ka qenë përgjegjës për të gjitha projektet e zhvilluara të cilat kanë ofruar zgjidhje të fuqishme marketingu dhe PR për klientët në fushën e automobilave, mallrave të konsumit, financiare, arsimit të lartë, prodhimit, mjekësisë, pasurive të paluajtshme dhe menaxhimi i pronave, shitjet me pakicë, rekreacioni dhe turizmi dhe udhëtimi.

Në vitin 2015 nisi një projekt startup në Media Digjitale e quajtur Business Magazine Albania.  Platforma e Parë e Medias Online me fokus në Startup dhe Sipërmarrje në gjuhën shqipe.

I angazhuar në një sërë aktivitetesh në Skenën e Inovacionit dhe Startup Shqiptar si mentor dhe ndërtues komuniteti, në vitin 2016 ai drejtoi Startup Grind Tirana, pjesë e Startup Grind. Startup Grind është një komunitet global për Sipërmarrësit i krijuar për të edukuar, frymëzuar dhe lidhur sipërmarrësit.

Që nga tetori 2016 pret dhe organizon AllWeb, Konferenca e Marketingut Digjital, një ngjarje vjetore që mbledh së bashku për 1 ditë profesionistë të industrisë, drejtues të nivelit C, menaxherë marketingu, agjenci reklamash, ekspertë të PR dhe Komunikimit, Sipërmarrës etj.

Në vitin 2021, pas pasionit dhe angazhimit të tij me startup-et inovative, ai nisi AlbaniaTech Project , një platformë që synon të bashkojë dhe aktivizojë të gjithë idete inovative te ekosistemit shqiptar në një vend. Ajo ka një mision të promovojë Peizazhin e Inovacionit të Shqipërisë në nivel ndërkombëtar.  Duke qenë i orientuar drejt marketingut dhe komunitetit, Gerti është gjithmonë në kërkim të lidhjes me njerëzit dhe mundësive të rrjetëzimit. I ftuar për të folur për “AllWeb Albania” ai tregon se rikthehet në Shqipëri këtë nëntor, pas dy vitesh! Konferenca ndërkombëtare e marketingut digjital është e fokusuar në shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin e biznesit.

CMG: Sa mundësi i ka dhënë të rinjve teknologjia?

Gerti Boshnjaku: Teknogjia e ka bërë botën e të rinjve të jetë e plotë dhe me ëndrra. Sot gjithçka e gjejmë më të aksesueshme sa herë që na duhet të kërkojmë diçka. Eksplorimi që i bëjmë botës përmes teknologjisë është ajo që kemi pasur përherë nevojë. Besoj që tani që flasim çdo njeri futet dhe përparon sepse nuk ka barrierë.

CMG: Cila është gjëja më e mirë që ju vetë keni bërë?

Gerti Boshnjaku: Unë apo edhe shumë të tjerë si unë e kanë dhënë atë dije për të tjerët që në fakt diku e ka pasur zanafillën. Nëse do të ecësh në jetë duhet patjetër të ndash përvoja dhe të japësh një mundësi për këdo që do të zgjerojë horizontin e tij. Nëse rritemi të gjithë bashkë impakti është më i madh. Përpara se të marrësh jep! Ky është parimi im.

CMG: Cila derë ju ka bërë të besoni, që nëse hapet ka shumë mundësi?

Gerti Boshnjaku: Fillimisht kemi ndërtuar një platformë online dhe më pas print të revistës "Business Magazine"  donim që të krijonim apo ndërtonim një imazh të të gjithë njerëzve që ja kishin dalë në një formë apo në një tjetër. U fokusuam në rastet e suksesit sepse ato përbëjnë më tepër rëndësi. Të rinjtë që kishin ide apo kanë ide, aty gjejnë një model të ngjashëm. Impakti ishte kolosal. Gjithçka që ne e përdorim si mjet madhor komunikimi sot, dje ka nisur thjesht si eksplorim. Ndaj mendova që njerëzve ju duhet një motivim për të pasur mundësi t'ia nisin. Një startup lind dhe jeton po njësoj edhe në vendet e mëdha edhe në vendet e vogla. Patjetër që duhet të ndjekim edhe shembujt nga bota se si funksionon në vendet inovative dhe më pas pse jo, të aplikojmë edhe këtu. Çdo gjë që ndodhte apo ndodh në këtë sektor ne i bëjmë një portret dhe më pas ai apo ajo merr jetë.

CMG: Si e shihni ekosistemin e Start-up në vendin tonë?

Gerti Boshnjaku: Ka shumë ide dhe nga viti në vit ato priten që të bëjnë ndryshime shumë të mëdha. Mund të ketë ide që krijohen dhe rriten deri në vitet e ardhshme, por nga ana tjetër ka edhe ide që mund të shuhen brenda një kohë shumë të shkurtër. Ky nuk është një treg për ata njerëz që dorëzohen lehtë sepse nëse shuhet një ide duhet të ngrihesh dhe të provosh nga e para idetë e tjera . Çdo leksion që merret nga rrëzimi është leksion që vlen për Start-up e radhës.

CMG: Gerti, a keni mësuar nga ndonjë dështim në jetë ?

Gerti Boshnjaku: Nese ti e përqafon dështimin si mjet të rrugëtimit ti fillon dhe ringrihesh. Brezi ynë e ka pasur në edukatë që nuk duhet të dështosh, ndërsa tani dështimi është hap për fillime më të mira. Unë dua të ndaj me lexuesit që vetë revista ime, që sot është tepër e sukseshme, ka nisur me një dështim. Ne përpara se të nisnim me revistën nisëm të eksperimentojmë me mediat online, por ajo që kuptuam ishte se ku po shkonim. Që në fakt nuk po shkonim asgjëkundi. Aty vendosëm të ndërtojmë një fokus, e mbyllëm si portal dhe mbajtëm vetëm artikujt e sipërmarrjes. Me ato artikuj ndërtuam një revistë online që është sot revista "Business Magazine" e testuam nëse ju duhej apo jo lexuesve dhe i'a dolëm. Por kjo gjë nisi në fakt si një dështim. Frytet e punës i kemi ndjerë shumë më vonë.

CMG: Cilat janë reflektimet e tua më të mëdha?

Gerti Boshnjaku: Të gjithë kemi një aspekt tepër personal që i drejtohemi sa herë duam të njohim veten. Nisemi nga diçka për të shkuar diku. Unë në çdo gjë që bëj e bëj brenda karakterit tim. Nuk bëj dot gjëra që thjesht më japin para . Bëj vetëm gjëra që më përmbushin. Kjo botë është e madhe dhe e bukur dhe nëse më duhet të reflektoj, vetes i them " Ji më tepër i fokusuar dhe vendos prioritete".

CMG: Cilat janë gjërat që për momentin kanë prioritet tek ju?
Gerti Boshnjaku: Dy janë prioritete mia për momentin. Është Allweb dhe një tjeter aktivitet që ndjek është promovimi i Startup. Po ngremë një sistem promovues dhe këto ide janë me grante mbështetëse nga ministria. Ne jemi duke i ndjekur këto ide për t’i ndarë në një hapësirë më të gjerë online. Ndërkohë po merremi me Allweb, një event i rëndësishëm dhe për nga rëndësia shumë i madh .

CMG: Kur ka ardhur për herë të parë ky event në Shqipëri?
Gerti Boshnjaku: AllWeb u organizua për herë të parë në Tiranë, Shqipëri në vitin 2016, me një event që tejkaloi pritshmëritë e mia fillestare dhe u prit shumë mirë nga audienca e përbërë nga profesionistët e fushës dhe kompani e biznese novatore. Ajo rikthehet me misionin e saj fillestar “Të ofrojë përmbajtje cilësore, folës të shkëlqyer, raste studimore praktike, shkëmbim njohurish dhe shumë më tepër.” Temat e këtij viti do të jenë përvoja e përdoruesit, eksplorimi kreativ, metaverse, web3, strategji biznesi dhe si çdo herë praktikat më të mira të marketingut digjital.

Që nga viti 2012, në skenën e AllWeb (Maqedoni dhe Shqipëri), janë ngjitur më shumë se 100 prezantues, nga kompani ndërkombëtare si  Google, The Coca-Cola, T-Mobile, McDonald`s, The Drum, Escape Studio, Manifest Social, Executive, GroupPRPepper, Publicis, Rinkya, Grouper, 404 Agency, McCann Erickson, Httpool, Cedevita, NewMoment, PressClipping, Scholz and Friends, Mobius, Inteligencr, TopShop (Studio Moderna) Digitalizuj.

CMG: Cilët do të jenë pjesëmarrësit në këtë event?

Gerti Boshnjaku: Do të jenë 12 folës ndër ta: Lorenzo Cappannari. CEO & bashkethemeles i AnotheReality | ndihmon kompanitë drejt botës virtuale | autor librash & professor. Fredrik Haren. Eksplorues i kreativitetit. Folës mbi Inovacionin & Kreativitetin. Autor librash. ZINEB LAYACHI. Themelues  Raise the Runway | BashkëThemelues @ PitchSLAP – Get your investor pitch checked | Brand Champion Metrics. Pelpina Trip – Trajnere Smartphone Video/Folëse/Autore etj. Të gjithë pjesëmarrësit do të ndajnë historitë e tyre në biznes dhe jo vetëm.

CMG: Si ka shkuar deri në keto momente organizimi i këtij eventi?

Gerti Boshnjaku: Tani jemi shumë pranë, biletat gati janë rezervuar dhe do të presim edhe pak. Do të jetë një ditë për të mos u humbur dhe për t’u parë si ditë pune. Nga vitet e mëparshme kemi eksperincë që jeta e secilit që ka ardhur në këtë event ka ndryshuar në mënyrë të drejtpërdrejtë. Të rinjve dhe atyre që ju përshtet ky event ju them vetëm “Nixtoni !”

Intervistoi: Megi Latifi