Astronautja italiane tregon bukurinë e kompozimit të lashtë kinez në hapësirë
2022-10-17 12:45:27

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Samantha Cristoforetti, astronautja e parë femër italiane në hapësirë, postoi në “Twitter” disa rreshta të një kompozimi të famshëm të lashtë kinez, për të ndarë gëzimin e saj, shkruan “Xinhua”.

Ajo fillimisht shkroi në kinezisht dhe më pas bashkëngjiti një përkthim të saktë të rreshtave në italisht dhe anglisht për të ndihmuar më shumë njerëz të kuptojnë.

“Duke parë lart, shoh pafundësinë e kozmosit; duke ulur kokën, shikoj turmën e botës. Vështrimi fluturon, zemra zgjerohet, gëzimi i shqisave mund të arrijë kulmin e tij dhe në të vërtetë, kjo është lumturia e vërtetë”,- thuhej në postim.

Teksti që ajo citoi është nga parathënia e poezive të kompozuara në Pavijonin e Orkideve, një kryevepër e kaligrafisë kineze nga kaligrafi kinez Wang Xizhi (303-361) i dinastisë Jin Lindore (317-420).

Ajo gjithashtu bashkëngjiti tre foto të bëra në hapësirën e Gjirit Bohai të Kinës dhe pamjen e ditë-natës së Pekinit.

Dy ditë para se të zbarkonte në Tokë, bukuria e hapësirës dhe letërsia kineze rezonuan në llogarinë e saj në “Twitter”. S'kaloi shumë dhe postimet e saj u bënë virale në “Twitter” me mijëra “retweet”, pëlqime dhe përgjigje.

“Gjithmonë duke parë nga e ardhmja, Samantha Cristoforetti po mëson kinezisht në kohën e saj të lirë”,- bëri të ditur Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) në faqen e saj të internetit.

Ndërkohë, Cristoforetti ka qenë aktive në bashkëpunimin kino-evropian në fushën e fluturimeve hapësinore me njerëz. Ajo ishte një anëtare e grupit të punës e ngarkuar me ndërlidhjen me homologët kinezë për të përcaktuar dhe zbatuar bashkëpunimin në fushën e operacioneve të astronautëve. Në vitin 2017, ajo mori pjesë në një stërvitje të mbijetesës në det të organizuar nga Qendra e Astronautëve të Kinës në Detin e Verdhë, trajnimi i parë i përbashkët i astronautëve kinezë dhe të huaj në Kinë.

Një marrëveshje u nënshkrua në vitin 2015 midis Kinës dhe Evropës për bashkëpunimin në fushën e fluturimeve hapësinore me njerëz, duke specifikuar pjesëmarrjen e Kinës dhe Evropës në aktivitetet e trajnimit të astronautëve të vendeve përkatës. Duke folur qartë kinezisht, Cristoforetti një herë u tha mediave se ekipet nga Kina dhe Evropa po punonin shumë mirë së bashku në fushën e trajnimit të astronautëve.

Ajo iu bashkua Forcave Ajrore Italiane në vitin 2001 dhe kishte grumbulluar më shumë se 500 orë përvojë fluturimi. Në maj 2009, Cristoforetti ishte një nga gjashtë të zgjedhurit nga 8000 aplikantët evropianë për t'u bashkuar me korpusin e astronautëve të ESA-s. (Fatosi)