Sondazhi: Kriza klimaterike ndryshon mënyrën e lëvizjes në Gjermani
2022-10-14 18:37:39

Transporti ne Gjermani (Foto blogspot)

Transporti ne Gjermani (Foto blogspot)

Njerëzit në Gjermani po ndryshojnë mënyrën e lëvizjes për shkak të shqetësimeve mbi pasojat e krizës klimaterike, bëhet e ditur në një sondazh të realizuar nga shoqata digjitale gjermane “Bitkom”.

Sipas sondazhit, cituar nga “Xinhua”, pothuajse të gjithë qytetarët gjermanë të anketuar thanë se kanë ndryshuar rrënjësisht sjelljen e tyre të lëvizshmërisë në vitet e fundit. Ndërkohë, 55% e të pyeturve thanë se kriza klimaterike ishte shkaku kryesor i ndryshimeve që ata kishin bërë.

“Ne po përjetojmë një pikë kthese në mënyrën e sjelljes. Gjermanët po kalojnë në përdorimin e biçikletave dhe ndarjen e makinave”,- tha drejtori ekzekutiv i “Bitkom”, Bernhard Rohleder.

Katër në dhjetë persona të anketuar thanë se bileta mujore e transportit publik prej nëntë euro (8.7 dollarë amerikanë) e subvencionuar nga shteti gjerman dhe rritja e çmimit të benzinës ishin arsyet për ndryshimin e mënyrës së lëvizshmërisë.

Për të zbutur çmimet e larta të energjisë për qytetarët dhe industrinë, qeveria gjermane ka zbatuar paketa ndihmash me një vlerë totale prej 95 miliardë eurosh, duke përfshirë biletën e lirë të transportit e cila ishte e vlefshme për shërbimet lokale në të gjithë vendin deri në gusht.

Sipas të dhënave, masa kurseu rreth 1.8 milionë tonë CO2, një ekuivalente me deri në një vit zbatim të një kufiri shpejtësie.

Gjermania është një nga vendet e pakta në botë ku ende nuk ka një kufizim të përgjithshëm të shpejtësisë në autostrada.

Vendi synon të reduktojë emetimet e tij të gazeve serrë me 65 për qind deri në vitin 2030 krahasuar me nivelet e vitit 1990 dhe të jetë plotësisht neutral deri në vitin 2045, pesë vjet më herët se sa ishte planifikuar fillimisht. (Irma)