Grupi kinez i punës viziton shtatë vende të EQL-së
2022-10-13 21:12:19

Nga 10 deri më 30 shtator, përfaqësuesja e posaçme e sapoemëruar e Ministrisë së Punëve të Jashtme për Bashkëpunimin Kinë-Vendet e EQL-së, ambasadorja Jiang Yu, si përfaqësuese e këshilltarit të Shtetit dhe ministrit të Jashtëm kinez Wang Yi, vizitoi Republikën Çeke, Sllovakinë, Bullgarinë, Hungarinë, Rumaninë, Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut. Përveç Ministrisë së Jashtme, në delegacion pati anëtarë edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Gjatë vizitës, grupi i punës u takua dhe zhvilloi bisedime me këshilltarë politikë të liderëve të vendeve të ndryshme, zyrtarë përkatës të ministrive të jashtme dhe parlamenteve, koordinatorë kombëtarë për çështjet e bashkëpunimit Kinë-vendet e EQL-së, përfaqësues të instituteve të studimit të politikave, medies, qarqeve të biznesit dhe shoqatave të miqësisë. Gjatë këtyre takimeve u diskutua mbi bashkëpunimin Kinë-vendet e EQL-së, marrëdhëniet dypalëshe dhe marrëdhëniet Kinë-BE.

Palët shqyrtuan së bashku arritjet në fusha të ndryshme që nga fillimi i Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së dhjetë vjet më parë, dhe shkëmbyen mendime për zhvillimin e ardhshëm të këtij bashkëpunimi.

Lidhur me zhvillimin 10-vjeçar të Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së, ambasadorja Jiang Yu u shpreh se ky mekanizëm është një platformë bashkëpunimi ndërrajonal e ndërtuar bashkërisht nga Kina dhe vendet e EQL-së me synimin fillestar të bashkëpunimit me përfitime të ndërsjella dhe të zhvillimit të përbashkët. Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, ndërtimi i këtij mekanizmi është përmirësuar më tej dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme ka arritur rezultate të pasura. Në dhjetë vjetët e fundit, vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore e Lindore është rritur me shpejtësi me 142.6 %, duke arritur në 136.2 miliardë dollarë vitin e kaluar. Ndër to, eksporti i produkteve bujqësore nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore në Kinë është shtuar 1.5 herë. Numri i kinezëve që bënë turizëm në vendet e EQL-së në vitin 2019 arriti në 2.166 milionë, katër herë më shumë në krahasim me fillimin e nisjes së mekanizmit të bashkëpunimit. Aktualisht, Bashkëpunimi Kinë-Vendet e EQL-së ka formuar një strukturë trepërmasore që mbulon fusha të shumta, me efekte të shkallës dhe epërsi integruese që nuk mund të krahasohen me bashkëpunimin e thjeshtë dypalësh. Ky mekanizëm është bërë një forcë e rëndësishme për promovimin e zhvillimit të marrëdhënieve miqësore ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore, përveç marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit Kinë-BE. Ai ka përmirësuar në mënyrë efektive nivelin e bashkëpunimit ndërmjet Kinës dhe vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore dhe ka sjellë përfitime të prekshme për popujt e të dyja palëve.

Lidhur me perspektivën e drejtimit të zhvillimit të Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së në situatën e re, ambasadorja Jiang Yu parashtroi katër propozime.

 Së pari, vuri në dukje ajo, duhet të forcohet besimi dhe të ruhet drejtimi i përgjithshëm i bashkëpunimit dhe roli i shkëmbimeve të nivelit të lartë në udhëheqjen e këtij mekanizmi, të shfrytëzohen mirë epërsitë e efektit të shkallës të mekanizmit dhe të thellohet potenciali i tij, duke promovuar rezultate konkrete për t’i dhënë impuls të ri thellimit të zhvillimit të mekanizmit.

Së dyti, duhet të ruhet qëllimi origjinal, të vijojë të vendoset fokusi në bashkëpunimin praktik, të eksplorohen dhe zgjerohen vazhdimisht modelet e reja të bashkëpunimit dhe të përshpejtohet realizimi i rezultateve të samitit të Pekinit. Po ashtu, duhet të publikohen masa të reja të bashkëpunimit pragmatik, të thellohet bashkëpunimin në tregti e investime, ndërlidhshmëri, inovacionin e gjelbër, financa, bujqësi, energjinë e re, kulturë etj., dhe të krijohen pika të reja të rritjes së bashkëpunimit.

Së treti, palët duhet të zbatojnë parimet e besimit dhe të miqësisë së ndërsjellë, të mësojnë nga njëra-tjetra, të realizojnë epërsitë përplotësuese dhe të rrisin ndjenjën e përfitimit nga të gjithë. Në të njëjtën kohë, duhet të vazhdojnë të zgjidhen problemet e bashkëpunimit në frymën e konsultimeve miqësore, të hapjes e gjithëpërfshirjes dhe të kundërshtohen kundërrrymat e politizimit të përgjithshëm që kanë në shënjestër mekanizmin e Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së.

Së katërti, theksoi ambasadorja, duhet të inkurajohet forcimi i bashkëpunimit me platforma të tjera ndërrajonale, të praktikohet bashkërisht multilateralizmi i vërtetë dhe të ecet në një rrugë që përputhet me karakteristikat e mekanizmit dhe që mund të shfrytëzojë më mirë rolin e tij. (Çang Çuo)