Shqipëri-KE, takim shpjegues mbi lëvizjen e lirë të mallrave
2022-10-12 16:54:23

Takimi BE-Shqiperi per levizjen e lire te mallrave (Foto Atsh) (1)

Takimi BE-Shqiperi per levizjen e lire te mallrave (Foto Atsh) 

Komisioni Evropian dhe delegacioni shqiptar i kryesuar nga zëvendësministri i Financave dhe Ekonomisë, Besart Kadia, zhvilluan në Bruksel takimin shpjegues për Kapitullin 1, “Lëvizja e Lirë e Mallrave”.

Ky kapitull mbulon parimin e lëvizjes së lirë të mallrave, ku nënkupton që produktet duhet të qarkullojnë lirshëm nga një pjesë e Bashkimit Evropian në tjetrën, citon “ATSH”.

Legjislacioni i harmonizuar europian i produkteve, i cili duhet të transpozohet, përfaqëson pjesën më të madhe të këtij kapitulli, duke përfshirë fusha të tilla si standardizimi, vlerësimi i konformitetit, akreditimi, metrologjia dhe mbikëqyrja e tregut.

Gjatë takimit delegacioni shqiptar u njoh me aktet ligjore dhe politikat kryesore të Bashkimit Evropian lidhur me lëvizjen e lirë të mallrave.

Kadia theksoi se nëpërmjet hartimit të Planit Kombëtar të Integrimit Evropian nga MFE-ja janë marrë masa konkrete në disa drejtime si dhe është punuar në përshtatjen e kuadrit ligjor dhe sistemeve tona për lëvizjen e lirë të mallrave, sipas direktivave evropiane në përputhje me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian. (Elona)