Oriana Cama: Të rindërtosh veten nga e para është e vështirë
2022-10-10 10:30:03

Oriana Cama është aktore që ka luajtur në filma, skena teatrosh dhe spektakle humori, mjaft e këndshme dhe e lirshme teksa interpreton personazhet e saj. Oriana është diplomuar për regjisurë, por ju perkushtua deri në detaje aktrimit. Me personazhet që ka vendosur në skenë ajo e ka bërë për vete publikun, i cili gjithmonë dhe më shumë e ka vlerësuar për atë që sjell në teatër. Oriana tashmë nënë e një djali të vogël, me një jetë larg Shqipërisë ka krijuar një tjetër profil jetësor, por gjithmonë mbetet e dashur publikun. Në një intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) Oriana tregon rreth karrierës së saj në Shqipëri, integrimin në Itali si dhe projektet artistike në të ardhmen. 

CMG: Flasim për aktivitetin tuaj artistik në Shqipëri përpara se të largoheshit për të jetuar në Itali. Si kanë qenë vitet e karrierës në Shqipëri, në skenën e tetatrit, spektaklet e humorit, por edhe në filma?

Oriana Cama: Ato vite kanë qenë shumë të bukura dhe tani që kam ikur nga Shqipëria edhe po njoh një jetë tjetër, mendoj që kam qenë shumë me fat që kam qenë në Shqipëri. Kam qenë shumë me fat që kam arritur të studioj për atë që kam dashur më shumë në jetë, duke pasur mundësi që ta realizoj profesionin tim. E kuptoj tani sepse vetëm kur ikën dhe kur i shikon nga larg, ato gjëra që të janë dukur shumë normale apo shumë të arritshme, ti e kupton rëndësinë e vërtetë. Ka njerëz në botë që nuk kanë mundur kurrë të bëjnë profesionin e ëndrrave të tyre, apo ka në botë artistë shumë të mire, të cilët nuk kanë pasur kurrë mundësinë që të ngjiten në skenë.

CMG: Ju keni luajtur në teatër, por edhe në spektaklet e humorit. Nga të dyja këto gjini të aktrimit kë keni dashur më shumë kur interpretonit në skenë?

Oriana Cama: Unë të dyja i dua shumë, të dyja i kam bërë me shumë dashuri, dhe tek të dyja do të rikthehesha me shumë dashuri. Sigurisht që magjia e teatrit është një univers paralel sepse kërkon më shumë përgatitje dhe gatishmëri. Nëse do të kthehesha sot në teatër pas më shumë se 5 vite shkëputjeje, brenda vetes kam panikun nëse e bëj dot sepse është shumë i vështirë rikthimi në teatër. Por edhe spektaklet e humorit nuk janë më të thjeshta. Dikush mund të jetë një aktor shumë i mirë në skenën e teatrit dhe nuk e ka këtë shkëlqim në spektaklet e humorit sepse ndryshon komplet procesi. Në spektaklet e humorit është një proces shumë më i shpejtë, pra përgatitet roli, personazhi apo teksti për dy ose tre ditë. Ndonjëherë duke qenë se në spektaklet e humorit temat janë aktualitet dhe brenda spektaklit futet një temë me një ngjarje që ka ndodhur në mëngjes, është dashur të bësh personazh ose tekst, i cili ka ardhur tre apo katër orë para spektaklit. Kështu që secila ka vështirësinë e vet, por në forma totalisht të ndryshme që ka shumë diferencë njëra nga tjetra.

CMG: Për artistët është pak i vështirë largimi nga vendi tyre dhe të heqin dorë nga arti. Si ishte për ju largimi nga Shqipëria, duke ditur se ishit një artiste e kompletuar?

Oriana Cama: Jo vetëm kaq, por unë kam qenë me fat që kur isha studente në Akademinë e Arteve kam filluar me kontratat e punës që në vitin e dytë. Pra, kam qenë shumë me fat përveçse e talentuar dhe kam pasur mundësinë që të angazhohem në projekte, duke krijuar marrëdhënie pune shumë herët. Kështu që në momentin që unë kam ikur, kisha ndërtuar të gjitha hapësirat e mia ku mund të punoja  dhe isha shumë mirë ekonomikisht.

Absolutisht që largimi nuk ka qenë i thjeshtë edhe pse motivet për të cilat unë kam ikur kanë qenë familja, sepse partneri im jetonte prej shumë vitesh në Itali. Në momentin që ne vendosëm që ta kalonim marrëdhënien tonë në një stad tjetër, pra të martoheshim, nuk e konsideruam që të jetonim në Shqipëri dhe se gjithmonë do të ishte më e mirë ikja. Në fakt tani që e mendoj pas 5 vjetësh, kemi bërë shumë gabim që nuk e kemi menduar dhe këtë si mundësi sepse gjithmonë është ideja që duhet ikur nga Shqipëria, por kur nuk ke motive realisht të forta nuk mendoj se ia vlen ikja nga Shqipëria. Në rastin tim ndoshta dhe mund të kem bërë gabim, dhe kur them rastin tim sepse ngaqë tani emigrimi është kthyer në një kryefjalë dhe fatkeqësiht kemi një emigrim social të brezave të tanishëm, pra nuk është ai emigrimi i viteve 90-të kur njerëzit iknin për kriza të mëdha ekonomike.

Ne jemi një brez që ikim për një krizë sociale dhe të vjen keq që të gjithë ne njerëz të cilët jemi të shkolluar dhe në një vend pune të sistemuar, të ikim dhe të rindërtojmë veten nga e para në një vend tjetër. Unë mendoj se të rindërtosh veten nga e para është gjithmonë shumë e vështirë në çfarëdolloj profsesioni.

CMG: Si kanë qenë ditët e para të integrimit tuaj në Itali?

Oriana Cama: Në fillim ka qenë shumë e thjeshtë sepse është gjithmonë kjo shkëputja, dhe pak e lodhur deri diku nga të qenurit në marrëdhënie pune sistematikisht për një kohë të gjatë  dhe dukej si pushim. Por kaq zgjat ai pushimi 6 muajt e parë, pastaj fillojnë të mungojnë gjërat nga e para. Unë vitin e parë sapo u transferova në Itali pas martese më erdhi shtatzania shumë shpejt, kështu që ishte një tranzicion i madh jo vetëm ndryshimi i vendit dhe i statusit, por edhe ndryshimi fizik dhe emocional që më ndodhi që është ndryshimi natyral i të bërit nënë. Kështu që nuk kam ditur kurrë ta ndaj si proçes sepse më kanë ndodhur shumë gjëra në të njëjtin moment.

CMG: Keni mundësi që të angazhoheni në Itali në fushën e aktrimit apo është e vështirë?

Oriana Cama: Jo, të flas shumë sinqerisht nuk e shikoj, mendoj se gjërat janë më të vështira këtu sidomos në periudhën e vështirë të pandemisë. Mua më ka qëlluar të lëviz bashkë me pandeminë, dhe gjërat janë vështirësuar kudo në botë dhe në çfardolloj fushe, aq më tepër në art. Unë mendoj që arti tani është kthyer në biznes. Ti mund të bëhesh artiste shumë e mirë jashtë në momentin që ke një stabilitet shumë të madh ekonomik, sepse çdo gjë tani funksionon me agjentë  dhe duhet të kesh mundësi të paguash një agjensi e cila të krijon kontaktet. Pra, praktikisht duhet të jesh një njeri i pasur që të bëhesh i famshëm apo artist, nuk duhet thjesht të jesh një artist i mirë apo të kesh talent në një fushë të caktuar dhe të depërtosh. Tani mendoj se është shumë më e vështirë sesa dikur sepse të paktën dikur edhe mund t’ja dilje vetëm me talent. Në fakt qëkur kam ikur nuk e kam pasur në mendjen time që do të bëja karrierë këtu. Unë kam qenë me këmbë në tokë dhe e kam ditur se do iki për dashurinë, për familjen dhe ky ka qenë motivi im.

CMG: Keni menduar që të riktheheni në Shqipëri për bashkëpunime me teatrin ose ndonjë projekt filmi?

Oriana Cama: Patjetër që e mendoj, nuk ka natë që mos ta mendoj dhe mëngjes që mos të zgjohem me këtë, sepse vetë mungesa dhe malli që kam për profesionin tim ma bën të pamundur mos ta mendoj. Kam pasur oferta, sidomos këtë vit për shkak të imitimeve të mia virale. Kam që nga janari që kam marrë disa oferta, por për momentin i kam cilësuar si jo të favorshme për të lëvizur apo për të ardhur në Shqipëri.

Duke qenë se kam një djalë të vogël 4 vjeç, gjithmonë kam prioritet atë dhe nuk kam dashur kurrë që ta le vetëm, por që ta marr me vete. Në të ardhmen patjetër që po, duke qenë se ai po rritet edhe do jetë më e thjeshtë të lëvizim bashkë, por gjithmonë për projekte të shkurtëra sepse është e pamundur në momentin që ke një familje ta fokusosh jetën me valixhe në dorë. Do ishte shumë egoiste nga ana ime ta bëja këtë gjë për fëmijën dhe për familjen time.

CMG: Flasim për imitimet e fundit virtuale që ju keni realizuar, ku u rikthyet në vëmendjen e publikut me imitimet e personazheve publike shqiptare.

Oriana Cama: Kjo ka qenë e para me imitimet e Big Brother sepse unë deri në janar i kam pasur rrjetet e mia sociale të mbyllura. Pra kisha zgjedhur që komunikimi im me publikun të ishte vetëm nëpërmjet skenës të teatrit apo të spektakleve të humorit. Nuk e kam parë Instagramin apo Tik Tokun si mundësi, kurse këtë herë ngaqë nuk kisha mundësi tjetër përveç rrjeteve sociale, jam rilidhur me publikun nëpërmjet rrjeteve sociale.

Me thënë të drejtën nuk është kjo forma e cila unë preferoj apo forma e cila mua më plotëson. Megjithatë një të mirë e bëri sepse në këtë mungesë 5 vjeçare ishte e vetmja urë lidhëse mes meje dhe publikut, por nuk e preferoj dhe nuk më entuziasmon kjo gjë. Madje mendoj se është shumë banale dhe ia ul edhe vlerën asaj që ti bën për mënyrën sesi unë jam formuar dhe sesi kam punuar.

Ka një diferencë shumë të madhe sepse tani po lindin njerëz nga hiçi që bëjnë dy batuta kafeje dhe mendojnë që janë artistë. Ndërkohë një kategori tjetër njerëzish që jemi ne që kemi mbaruar një shkollë, që kemi mësuar si punohet dhe si bëhet një personazh, që mendojmë krejt ndryshe dhe na duhet të përshtatemi, dhe në fund të kemi të njëjtën vlerë me këta njerëz që në thelb nuk kanë lidhje me artin.

CMG: Përveç skenës së teatrit dhe spektakleve të humorit për çfarë tjetër ju merr malli nga vendlindja?

Oriana Cama: Më merr malli për çdo gjë, më mungon rrëmuja e Tiranës, më mungon fakti se Tirana me gjithë të këqijat që ne shikojmë kur jemi atje, por kushdo që ka ikur nga Tirana shikon që ka shumë të mira sesa shikojmë kur jemi atje. Tirana ka jetë në 24 orë dhe një gjë që më tmerron në Itali janë oraret, nëse ti shkon në një restorant këtu duhet të shkosh në orarin 12.00 me 14.00, dhe nëse shkon pas orës 2 nuk hyn dot në një restorant të drekosh ose që pas orës 6 nuk ka njeri në park ose në rrugë. Po marr disa  shembuj, që janë krejtësisht të parëndësishëm, por janë të rëndësishëm kur ti vjen nga një sistem tjetër jetese. Më pëlqen çdo gjë në Tiranë, njerëzit dhe çdo gjë tjetër.

CMG: Së fundi një përshëndetje për dëgjuesit  tanë dhe adhuruesit tuaj.

Oriana Cama: Unë i falenderoj të gjithë ata që më ndjekin mua dhe Radio Ejani, duke ju uruar gjithë të mirat.