Energjia e rinovueshme, IPARD II grant 5.8 milionë euro për 18 sipërmarrje
2022-10-09 09:59:26

Panele diellore (Foto Rtsh)

Panele diellore (Foto Rtsh)

Energjia e rinovueshme është një nga sektorët që programi IPARD-II i bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare po mbështesin në Shqipëri, bën të ditur Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.

Sipas saj deri tani janë financuar 18 sipërmarrje, në ferma, magazina, stalla dhe impiante agroturizmi, me investime në fushën e energjisë së rinovueshme.

Nëpërmjet programit IPARD II, janë financuar grante prej 5.8 milionë euro, teksa vlera e investimit për energjinë e rinovueshme në sektorin e bujqësisë, llogaritet në vlerën 14.4 milionë euro në të gjithë Shqipërinë, përcjell “RTSH”.

Ndërtimi i paneleve fotovoltaike në sipërmarrjet rurale, kursen deri në 90% të konsumit të energjisë elektrike, që nevojitet për aktivitetet bujqësore dhe agropërpunuese, duke ulur kështu kostot për përdorimin e energjisë elektrike.

Mbështetja do të vazhdojë edhe nëpërmjet Programit IPARD III.

“Fermerët dhe sipërmarrjet rurale, do të përfitojnë nga një akses më i gjerë në financim për projekte të ruajtjes energjetike falë edhe programit IPARD III, që nisë vitin që vjen”,- njofton AZHBR. (Irma)