“Fitch” ul perspektivën e kredisë për borxhin e qeverisë britanike
2022-10-08 13:09:39

Agjencia e vlerësimit “Fitch” ka ulur perspektivën për vlerësimin e kredisë për borxhin e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar nga “stabël” në “negativ”, duke përmendur rreziqet nga paketa fiskale e madhe dhe e pafinancuar e vendit.

Paketa fiskale e shpallur në shtator si pjesë e planit të rritjes së qeverisë së re mund të çojë në një rritje të ndjeshme të deficitit fiskal në periudhën afatmesme, bëri të ditur “Fitch”, citon “Xinhua”.

Agjencia vlerësoi se pa masa kompensuese, deficiti i qeverisë britanike do të mbetet në 7.8 për qind të produktit të brendshëm bruto (PBB) në vitin 2022 dhe do të rritet në 8.8 për qind në vitin 2023, për shkak të ndikimit të inflacionit të lartë në borxhin e qeverisë.

Ndryshimi në trajektoren fiskale do ta shtyjë borxhin e përgjithshëm të qeverisë në 109 për qind të PBB-së deri në vitin 2024 nga 101 për qind e vlerësuar në vitin 2022, duke reflektuar si deficite primare më të larta ashtu edhe një perspektivë më të dobët të rritjes, bëri të ditur agjencia.

Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar më 23 shtator shpalosi një plan ambicioz për të ulur taksat dhe për të nxitur rritjen ekonomike, gjë që ka ngritur shqetësime të mëdha për shëndetin fiskal të vendit.

Pas kësaj, agjencia e vlerësimit “S&P” ka ulur perspektivën për vlerësimin e saj të kredisë për borxhin sovran të Mbretërisë së Bashkuar në “negative” nga “të qëndrueshme”. (Irma)