Eurodeputetët i bëjnë thirrje BE-së të mbështesë familjet dhe bizneset në nevojë
2022-10-08 13:15:40

Foto: VCG

Anëtarët e Parlamentit Europian miratuan një rezolutë në Strasburg, në Francë, duke kërkuar veprim të menjëhershëm për të ulur koston e energjisë elektrike për familjet dhe kompanitë e cenueshme.

Përmes një deklarate, deputetët e PE-së thonë se kohët e jashtëzakonshme kërkojnë masa të jashtëzakonshme emergjente, citon “Xinhua”.

Në mesin e shtatorit, Komisioni Europian propozoi një sërë masash për të lehtësuar barrën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Këto përfshijnë një reduktim të kërkesës për energji elektrike në orët e pikut, një kufi të të ardhurave për prodhuesit e energjisë elektrike me kosto të ulët dhe një kontribut të përkohshëm solidariteti nga sektori i karburanteve fosile.

Javën e kaluar, ministrat e Energjisë së BE-së i shqyrtuan këto propozime dhe arritën një marrëveshje politike mbi to, por nuk arritën të bien dakord për kufizimin e çmimit të gazit natyror.

Ndërkohë, këtë javë, eurodeputetët thanë se çmimi i gazit të importuar nëpërmjet tubacioneve, kryesisht nga Rusia, duhet të kufizohet. Ata kërkuan gjithashtu një embargo të plotë ndaj karburanteve fosile dhe bërthamore ruse.

Duke kërkuar një taksë mbi fitimet e papritura, eurodeputetët paralajmëruan se kompanitë aktive në sektorin e karburanteve fosile mund të përpiqen t'i shpëtojnë taksave të solidaritetit të marra nga fitimi i tyre i tatueshëm dhe kërkuan dispozita për të parandaluar shmangien e taksave. (Irma)