Kryeministri Rama: Ministrat e Energjisë të Ballkanit, pjesë e takimit të BE-së për krizën energjetike
2022-10-08 11:00:11

Foto nga RTSH

Foto nga RTSH

Kryeministri Edi Rama deklaroi se vendet e Ballkanit do të marrin pjesë në takimin e Bashkimit Europian për përballimin e krizës energjetike, me të cilën po përballen vendet e Unionit.

Nga Praga, ku u mbajt takimi i Komunitetit Politik Evropian, kryeministri shqiptar tha se me kërkesë të tij, drejtuar kryetares së KE-së, ministrat e Energjisë së vendeve të Ballkanit do të jenë të pranishëm në takimin e BE-së, që pritet të mbahet së shpejti, bën të ditur “RTSH”.

“Frika ka qenë një forcë shumë vendimtare në të gjithë historinë e përpjekjeve për të ndërtuar një komunitet politik evropian, ashtu siç ka qenë një forcë penguese dhe për vetë BE-në. Në një situatë si kjo, Europa është në një pikë ku për ta krijuar të ardhmen duhet ta parashikojë. Lajmi i mirë është që me kërkesën time drejtuar kryetares së komisionit është pranuar që të thirren edhe ministrat tanë të Energjisë në takimin që do të zhvillohet në Pragë për të trajtuar çështjen e energjisë si një çështje europiane dhe jo si një çështje të BE-së”,- tha Rama.

Sipas tij, tashmë ndodhemi në një epokë rreziku dhe kjo ka bërë që vendet të afrohen më shumë për shkak të inflacionit të shkaktuar nga konflikti ruso-ukrainas.

“Jemi në një epokë të re rreziku, kemi dalë nga epoka e sigurt. Kjo epokë e rrezikut i ka mbledhur të gjithë dhe i ka nxitur të afrohen sa më shumë për shkak të inflacionit të konflikti. Shqipëria ka një peshë tjetër dhe një zë tjetër”,- u shpreh kreu i qeverisë shqiptare. (Irma)