Diplomati: Projektvendimi lidhur me Xinjiang-un ka si qëllim pengimin e Kinës
2022-10-07 21:57:57

 Kashgar, Xinjiang(Foto:Xinhua)

Kashgar, Xinjiang(Foto:Xinhua)

Kreu i Misionit të Kinës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë Chen Xu tha se projektvendimi lidhur me Xinjiang-un që u hodh poshtë të enjten nga Këshilli për të Drejtat e Njeriut i Kombeve të Bashkuara, ka si "qëllim të vërtetë të përfitojë nga organet e të drejtave të njeriut të OKB-së për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kinës dhe për të përdorur çështjet lidhur me Xinjiang-un për të penguar Kinën."

Sipas tij, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera e paraqitën projektvendimin si një çështje proceduriale, duke u përpjekur të përligjin "vlerësimin" e paautorizuar dhe të paligjshëm dhe të vendosin çështjet lidhur me Xinjiang-un në programin e punës të Këshillit.

“"Çështjet lidhur me Xinjiang-un nuk kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, por lidhen me luftën kundër terrorizmit, radikalizimit dhe separatizmit," vuri në dukje Chen Xu.

Sipas tij, falë përpjekjeve të fuqishme, për më shumë se pesë vjet radhas nuk ka pasur asnjë incident terrorist në Xinjiang dhe aty të drejtat e njeriut të banorëve të të tëra kombësive mbrohen plotësisht.

Chen vuri në dukje më tej se gjatë gjashtë dekadave të fundit, popullsia ujgure në Xinjiang është rritur nga 2.2 milionë në afro 12 milionë dhe jetëgjatësia mesatare u shtua nga 30 në 74.7 vjet.

"Duke mbyllur sytë përpara këtyre fakteve e të vërtetave, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera kanë trilluar e përhapur gënjeshtra dhe thashetheme të shumta, për të njollosur Kinën, për të dëmtuar stabilitetin e Xinjiang-ut dhe për të frenuar zhvillimin e Kinës," tha ai. "Ky është një shembull tipik i manipulimit politik dhe shkelja më e rëndë e të drejtave të njeriut të të gjitha kombësive në Xinjiang."

Chen theksoi më tej se të gjitha rezolutat për vende të veçanta të paraqitura në Këshillin për të Drejtat e Njeriut synojnë vendet në zhvillim dhe Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera, duke mos pasur parasysh shkeljet e tyre serioze të të drejtave të njeriut, e drejtojnë gishtin e fajit te të tjerët.

"Ky është standart tipik i dyfishtë. Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të lejojë asnjë përpjekje për të politizuar a instrumentalizuar çështjet e të drejtave të njeriut, me qëllim që të parandalojë që organet e të drejtave të njeriut të OKB-së t’u shërbejnë objektivave politike të disa vendeve," theksoi ambasadori kinez.