Ekspertët kuvajtianë bëjnë thirrje për më shumë bashkëpunim me Kinën për të trajtuar çështjet klimaterike
2022-10-06 14:43:03


Ndryshimi i klime - bashkepunimi me Kuvajtin (Foto Xinhua)

Autoriteti Publik i Mjedisit të Kuvajtit po përgatit një projekt mjedisor për të adresuar ndryshimet klimatike në vend dhe ekspertët kanë bërë thirrje për më shumë bashkëpunim me Kinën, një vend pionier sipas këndvështrimit të tyre, në luftimin e çështjeve të lidhura me klimën, bëri të ditur “Xinhua”.

Ndërsa bota po përjeton thatësira të rënda, stuhi, valë të nxehti dhe fatkeqësi të tjera të shkaktuara nga një mot gjithnjë e më jonormal, projekti synon të prezantojë ligje dhe rregullore të reja për të adresuar çështjet klimaterike dhe për të zvogëluar rreziqet e pasojave në vend.

Duke folur për “Xinhua”, Jenan Bahzad, anëtare e Bordit të Drejtorëve të Shoqërisë së Mbrojtjes së Mjedisit të Kuvajtit, një organizatë jofitimprurëse, vlerësoi kontributin e Kinës në adresimin e ndryshimeve klimaterike globale, veçanërisht premtimin e saj për reduktimin e emetimeve dhe neutralitetin e karbonit.

“Nuk do të jetë një zgjidhje e lehtë pa marrjen e masave drastike dhe kryerjen e bashkëpunimit global në afatin më të shkurtër kohor për të ndihmuar vendet në zhvillim të lëvizin drejt një ekonomie me karbon të ulët”,- tha Bahzad.

Ajo vuri në dukje se ndryshimi i klimës është i dukshëm në rajonin e Gjirit. “Është një sfidë globale që nuk ndalet në kufijtë kombëtarë dhe është një çështje që kërkon zgjidhje që kanë nevojë për koordinim në nivel ndërkombëtar”, - shtoi ajo, duke shprehur shpresën për të punuar së bashku me Kinën në këtë drejtim.

Bahzad u bëri thirrje subjekteve qeveritare dhe private të zbatojnë ligjet për mbrojtjen e mjedisit, si dhe rregulloret pasuese, veçanërisht ato që kufizojnë efektet që vijnë drejtpërdrejt dhe indirekt nga ndryshimi i klimës.

Hassan Dashti, vëzhgues i meteorologjisë në Drejtorinë e Përgjithshme të Aviacionit Civil të Kuvajtit, tha se qëllimi i vendit të tij është të arrijë emetimet neto zero të karbonit duke adoptuar një ekonomi qarkulluese të karbonit.

Vëmendja e vendeve për të arritur emetimet neto zero të karbonit është e rëndësishme dhe Kina ka bërë përpjekje të mëdha, vuri në dukje vëzhguesi, duke shtuar se angazhimi i Pekinit luan një rol të rëndësishëm në inkurajimin e të tjerëve dhe kontributin në arritjen e qëllimit global për të kontrolluar temperaturat në rritje në planet. (Elona)