Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkohet të bashkëpunojnë për emetimet
2022-10-05 13:57:46

Ekspertët e klimës kanë kërkuar më shumë bashkëpunim kino-amerikan në reduktimin e emetimeve të karbonit nga anijet dhe avionët. Thirrjet u bënë në një seminar të organizuar në internet javën e kaluar, me një prej pjesëmarrësve që vuri në dukje përparimin gjatë dekadave të fundit në bërjen e transportit tokësor më të pastër dhe nevojën për t’i zgjeruar më tej këto përfitime.

“Ne me të vërtetë ndjejmë se tani është koha për ta shtrirë këtë përdorim të gjelbër në transportin detar dhe ajror”,- tha Madeline Rose, e cila drejton fushatat klimaterike në kompaninë “Pacific Environment”, në Kaliforni.

Sipas saj, organet rregullatore në Kinë dhe SHBA kanë një shtysë të fortë për t'i dhënë fund ndotjes në këto transporte. Anijet dhe avionët janë bërë gjithnjë e më të pranishëm në jetën e përditshme të njerëzve. Por me krizën e zinxhirit të furnizimit të shkaktuar nga pandemia dhe bllokimet që pasuan, kjo çështje me të vërtetë mori një shtysë edhe më të madhe në këtë drejtim, tha Rose.

nga VCG

nga VCG

Xie Zhenhua, i dërguari i posaçëm i Kinës për ndryshimet klimaterike, tha në gusht se SHBA-ja është plotësisht përgjegjëse për ndërprerjen aktuale të bashkëpunimit klimaterik Kinë-SHBA.

Dhe pavarësisht pezullimit, Kina ka qenë gjithmonë një kontribuues proaktiv në procesin global të klimës duke bashkëpunuar vazhdimisht me vendet e tjera në trajtimin e ndryshimeve klimaterike.

Pavarësisht pengesës, Rose inkurajohet nga partneriteti i “korridorit të gjelbër” i nënshkruar në fillim të vitit midis porteve të Shangait dhe Los Anxhelosit, i cili synon të krijojë një korridor me emetime zero përgjatë një prej rrugëve më të ngarkuara të tregtisë së mallrave në botë deri në vitin 2030. Porti i Long Beach në SHBA ka nënshkruar tashmë partneritetin dhe shumë porte të tjera rreth Paqësorit po mendojnë t'i bashkohen aleancës, tha Rose.

“Ky është një hap i parë i shkëlqyer që gëzon mbështetje kombëtare nga të dyja palët. Në Kinë, ne shohim potencial të fortë për elektrifikimin e korridorit të brendshëm”,- tha Rose, duke folur për rajonin e lumit Yangtze.

nga VCG

nga VCG

Dan Rutherford, drejtor programi për programet e aviacionit dhe ato detare në Këshillin Ndërkombëtar për Transportin e Pastër, ose ICCT, një grup mjedisor, deklaroi se industritë detare dhe të aviacionit janë tregje të mëdha për SHBA-në dhe Kinën. Sipas tij, tregtia dypalëshe është përgjegjëse për rreth 2.5 për qind të emetimeve globale të dyoksidit të karbonit të transportit detar.

Tre tregjet më të mëdha të pasagjerëve për aviacionin komercial në vitin 2019 ishin SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe Kina. Ata së bashku përbënin më shumë se gjysmën e totalit të emetimeve globale të dyoksidit të karbonit nga operacionet e pasagjerëve, sipas hulumtimit të ICCT-së.

Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil, organi i OKB-së që koordinon parimet dhe teknikat e lundrimit ajror global, po zhvillon takime për të arritur një marrëveshje për të arritur emetimet neto zero të linjave ajrore deri në vitin 2050.

nga VCG

nga VCG

Webinar-i, i titulluar “Mundësitë për veprim afatshkurtër të klimës SHBA-Kinë: Trajtimi i sektorëve të aviacionit dhe transportit detar”, u organizua nga Instituti i Klimës Kaliforni-Kinë në Universitetin “Berkeley” të Kalifornisë.