Kamboxhia, autostrada me investim kinez nisën provën njëmujore të funksionimit
2022-10-03 11:03:17

Foto: Xinhua

Autostrada e ndërtuar me investim kinez Pnom Pen-Sihanukvil në Kamboxhia u hap për publikun të shtunën për një provë falas njëmujore. Kjo është autostrada e parë në këtë vend të Azisë Juglindore.

Ajo ka një gjatësi të përgjithshme 187 kilometra e lidh kryeqytetin Pnom Pen me krahinën bregdetare Preah Sihanuk. Kjo vepër është ndërtuar me një investim prej 2 miliardë dollarësh nga Korporata e Rrugëve dhe e Urave e Kinës.

Sekretari i Shtetit i Ministrisë së Punëve Publike dhe të Transportit të Kamboxhias Yit Bunna theksoi se projekti i autostradës  ka përfunduar plotësisht kohët e fundit pas më shumë se tre vjetësh ndërtimi dhe nga 1 deri më 31 tetor do të bëjë një funksionim provë falas.

Sun Yaoguo, përfaqësuesi i projektit të autostradës Pnom Pen-Sihanukvil, u shpreh se kjo vepër është fryt i bashkëpunimit ndërmjet Kinës e Kamboxhias në kuadrin e nismës "Një brez, një rrugë".

"Vënia në funksionim provë e kësaj rruge tregon se Kamboxhia ka hyrë tani në epokën e autostradave. Ne shpresojmë se të gjithë drejtuesit e automjeteve do të respektojnë rreptësisht rregullat dhe rregulloret e Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit të Kamboxhias për të ruajtur rendin dhe sigurinë," tha ai.