Rriten kostot për prodhimin industrial në Itali mes çmimeve të larta të energjisë
2022-10-02 13:02:29

Foto: VCG

Çmimet e prodhimit industrial në Itali u rritën me 40.1 për qind në gusht krahasuar me një vit më parë, nxitur nga rritja dramatike e çmimeve të energjisë të shkaktuar nga kriza në Ukrainë, treguan të dhënat zyrtare nga Instituti Kombëtar i Statistikave (ISTAT), citon “Xinhua”.

Sipas të dhënave zyrtare, kostot për prodhimin në tregun e brendshëm të Italisë u rritën me një shkallë edhe më të madhe në gusht, 50.5 për qind mbi nivelet e një viti më parë.

Rritja nga viti në vit në gusht ishte më e lartë se rritja prej 36.9 për qind e regjistruar midis korrikut 2021 dhe korrikut 2022. Çmimet e prodhimit për tregun vendas ishin 45.9 për qind më të larta në korrik se një vit më parë.

Ndërkohë, çmimet e prodhimit industrial në gusht ishin 2.8 për qind më të larta nga muaji në muaj, me një rritje prej 3.5 për qind për prodhimin për tregun vendas.

Sipas ISTAT-it, këto rritje ishin kryesisht për shkak të kostove më të larta të energjisë. Duke përjashtuar kostot direkte të energjisë, rritja nga viti në vit në gusht ishte 13 për qind.

“Në gusht, çmimet e prodhimit të industrisë shënuan një rritje të re mujore dhe përshpejtuan ndjeshëm rritjen nga viti në vit, kryesisht për shkak të dinamikës intensive rritëse në tregun vendas të çmimeve dhe aseteve të furnizimit me energji elektrike dhe gaz”,- njoftoi ISTAT.

Indekset e prodhuesve të industrisë janë një tregues kryesor ekonomik që mat kostot e prodhimit industrial. (Irma)