Britania e Madhe do të përgjysmojë çmimet e energjisë për bizneset
2022-09-23 19:02:59

Termocentral ne Britani (Foto Xinhua)

Termocentral ne Britani (Foto Xinhua)

Çmimi i shitjes me shumicë i gazit dhe energjisë elektrike për të gjithë klientët jo-shtëpiakë në Mbretërinë e Bashkuar do të përgjysmohet për periudhën e dimrit, sipas një plani mbështetës të publikuar nga qeveria britanike, citon “Xinhua”.

Sipas skemës së re të lehtësimit të faturave të energjisë, çmimi i zbritur do të jetë i disponueshëm për të gjitha bizneset, fondet e bamirësisë dhe organizatat e sektorit publik, duke përfshirë shkollat dhe spitalet, midis 1 tetorit dhe 31 marsit 2023.

“Për të administruar mbështetjen, qeveria ka vendosur një çmim të mbështetur me shumicë, që pritet të jetë 211 paund (238 dollarë amerikanë) për megavat orë (MWh) për energjinë elektrike dhe 75 paund për MWh për gazin, më pak se gjysma e çmimeve të shitjes me shumicë të parashikuara në dimër, që është një çmim i ulur për njësi gazi dhe energjie elektrike”,- thuhet në një njoftim të qeverisë britanike.

Po ashtu, do të hiqen taksat e gjelbra për klientët jovendas.

Një rishikim i funksionimit të kësaj skeme do të publikohet pas tre muajve, duke identifikuar industritë më të cenueshme dhe duke informuar vendimet për mbështetjen e ardhshme pas marsit 2023.

“Ne kemi ndërhyrë për të ndaluar kolapsin e bizneseve, për të mbrojtur vendet e punës dhe për të kufizuar inflacionin”,- deklaroi kancelari i Thesarit, Kwasi Kwarteng.

Duke e cilësuar skemën e mbështetjes një hap në drejtimin e duhur, Shevaun Haviland, drejtor i përgjithshëm i Dhomave Britanike të Tregtisë, tha se kjo do të lejojë shumë firma të përballojnë dimrin.

Por Haviland theksoi gjithashtu se mbështetja gjashtëmujore nuk është e mjaftueshme që përfituesit të bëjnë plane për të ardhmen dhe bëri thirrje për një plan të qartë afatgjatë që i jep biznesit besimin për t'u rritur. (Irma)