Kina e mbi 30 vende të tjera nxitin zhvillimin më të barabartë
2022-09-22 16:57:26

Kina dhe një grup i më shumë se 30 vendeve nxitën të mërkurën një zhvillim që ka në qendër njerëzit dhe që siguron që përfitimet prej tij të jenë më të mëdha e të ndahen në mënyrë më të barabartë.                  

Kjo do t'i ndihmonte veçanërisht grupet më të prekshme e më të mënjanuara që të kenë qasje të barabartë në të drejtat themelore, siç janë arsimi, shëndetësia, strehimi dhe puna e denjë, vuri në dukje Chen Xu, përfaqësuesi i përhershëm i Kinës në Zyrën e OKB-së në Gjenevë, në një deklaratë të përbashkët të bërë në sesionin e 51-të të Këshillit për të Drejtat e Njeriut të OKB-së.
Sipas tij, përmirësimi i të drejtave themelore, nga ana tjetër, do të çonte në një zhvillim me cilësi më të lartë, që do të ishte më i efektshëm, më i barabartë, më i qëndrueshëm dhe më i sigurt.
"Ndikimi e pandemisë së COVID-19 ka zhbërë përfitimet nga zhvillimi global, ka penguar zbatimin e Agjendës  së Zhvillimit të Vazhdueshëm të OKB-së 2030 dhe ka përkeqësuar pabarazitë brenda  e ndërmjet vendeve," theksohet në deklaratën e përbashkët.
"Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve që të forcojnë solidaritetin global dhe të marrin masa gjithëpërfshirëse për të luftuar pandeminë, për të nxitur rimëkëmbjen pas pandemisë dhe për të siguruar qasje të barabartë në vaksinat dhe ilaçet," shtohet në deklaratë.
Sipas saj, zbatimi i Agjendës 2030 duhet të vazhdojë të jetë përparësi në programin e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke marrë parasysh realitetet, kapacitetet e nivelet e ndryshme të zhvillimit të vendeve të ndryshme dhe duke respektuar politikat e përparësitë kombëtare. Duhet të bëhen përpjekje për të arritur në kohë 17 objektivat e zhvillimit të vazhdueshëm.
Vendet e zhvilluara duhet të marrin masa më praktike, thuhet më tej në deklaratë, dhe institucionet financiare ndërkombëtare duhet të shmangin politikat shtrënguese që pengojnë të drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore.
Deklarata e përbashkët u bëri thirrje gjithashtu mekanizmave për të drejtat e njeriut të OKB-së ta vënë më shumë theksin në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave ekonomike, shoqërore e kulturore dhe në shmangien e pabarazive, duke dhënë ndihmë efektive me miratimin e vendeve përkatëse.
Në të njëjtën kohë, në deklaratë thuhet se Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së dhe Zyra për të Drejtat e Njeriut e OKB-së duhet të mbrojnë të drejtat e të gjitha vendeve për të zgjedhur rrugët e tyre të zhvillimit e duhet të kundërshtojnë ndërhyrjen në punët e brendshme të vendeve të tjera, sanksionet e njëanshme pa bazë në ligjin ndërkombëtar, si dhe politizimin e lënien mënjanë të çështjes së zhvillimit.