Indonezia synon të joshë më shumë “nomadë digjitalë”
2022-09-21 17:20:26

foto

Ministri i Turizmit i Indonezisë Sandiaga Unofoto/ foto nga thejakartapost.com

Indonezia po përpiqet të tërheqë më shumë të ashtuquajtur “nomadë digjitalë” në brigjet e saj tropikale, duke ofruar një vizë më fleksibël, deklaroi ministri i Turizmit i vendit, në një lëvizje të mirëpritur nga industria e turizmit në Bali.

Vitet e fundit, disa destinacione aziatike për pushime kanë parë një fluks nomadësh digjitalë, ose vizitorë me qëndrim të gjatë nga jashtë, të cilët kombinojnë udhëtimin dhe rekreacionin me punën në distancë.

Ministri i Turizmit Sandiaga Uno deklaroi përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në “Instagram” se nomadët digjitalë tani mund të vizitojnë Indonezinë dhe të punojnë deri në gjashtë muaj duke përdorur një vizë social-kulturore.

“Unë jam gjithnjë e më i bindur se numri i turistëve të huaj që janë të interesuar të qëndrojnë në Indonezi do të rritet dhe automatikisht do të ketë një ndikim në ringjalljen ekonomike, që tashmë është goditur nga disa kriza të njëpasnjëshme”,- tha ministri Uno.

Punësimi bazuar në këtë kategori vize nuk është lejuar më parë dhe Indonezia ende nuk ka përcaktuar se si mund t’i menaxhojë nomadët digjitalë, por plani është pritur pozitivisht nga Bordi i Turizmit në Bali.

“Ne duhet ta përqafojmë këtë mundësi”,- tha kryetarja e bordit, Ida Bagus Agung Partha Adnyana. “Unë sugjeroj që qeveria të bëjë një rregullore të qartë në lidhje me këtë. Për shembull, udhëtarët duhet të paguajnë një shumë të caktuar tatimi ndaj qeverisë indoneziane, nëse punojnë nga Bali”,- tha ajo.

Zyra e Emigracionit në Indonezi nuk pranoi të komentojë mbi këtë temë, kur u kontaktua nga “Reuters”. 

Të ardhurit e huaj në Bali pritet të arrijnë nivelet e para pandemisë, prej gjashtë milionë deri në vitin 2025, bëri të ditur Shoqata e Turizmit, pasi ishulli ka nisur të rimëkëmbet nga ndikimet e pandemisë Covid-19.

Të dhënat nga Ministria e Turizmit treguan se më shumë se 3000 nomadë digjitalë hynë në Indonezi nga janari deri në gusht të këtij viti, kryesisht nga Rusia, Britania dhe Gjermania, ku shumica qëndronin në Bali. Presidenti Joko Widodo kohët e fundit qortoi zyrtarët e emigracionit për vështirësitë që kanë hasur të huajt, përfshirë investitorët dhe turistët, për marrjen e vizave. Nëse vendi dëshiron ta përqafojë këtë nismë, atëherë duhet të krijohen lehtësira, që kjo kategori e shumëpritur e turizmit ta preferojë më shumë Indonezinë për këtë qëllim.

Vende të tjera në rajon po kërkojnë gjithashtu të shfrytëzojnë mundësitë për punë në distancë.

Për shembull, Filipinet po ofrojnë paketa pune në resortin e Boracay, ndërsa Malajzia njoftoi për disa rregullore për të lejuar nomadët digjitalë që kualifikohen të qëndrojnë për 12 muaj.