Kina u bën thirrje palëve të ndryshme të zbatojnë Nismën e Sigurisë Globale
2022-09-21 13:56:53

Mbledhje e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së(Foto:VCG)

Mbledhje e Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së(Foto:VCG)

Një përfaqësues i Kinës i bëri thirrje ditët e fundit bashkësisë ndërkombëtare të zbatojë Nismën e Sigurisë Globale, duke praktikuar multilateralizmin e vërtetë.

Në një panel ekspertësh të sesionit të 51-të të rregullt të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, përfaqësuesi kinez u shpreh se multilateralizmi është koncepti thelbësor i rendit ndërkombëtar ekzistues dhe një rrugë efektive për ruajtjen e paqes dhe nxitjen e zhvillimit. 

Sipas tij, disa vende perëndimore, si ShBA-ja, të nisura nga qëllime politike, fabrikojnë dhe përhapin lajme të rreme ndaj vendeve të tjera, duke ndërhyrë në punët e brendshme të tyre nën pretekstin e të drejtave të njeriut dhe duke marrë masa shtrënguese të njëanshme. Kjo shkel synimet dhe parimet e Kartës së OKB-së dhe dëmton seriozisht normat shumëpalëshe dhe ndërkombëtare. Përfaqësuesi i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të kundërshtojë politizimin dhe shndërrimin e çështjes së të drejtave të njeriut në armë prej këtyre vendeve për arritjen e qëllimit të tyre.

Përfaqësuesi i palës kineze vuri në dukje se paraqitja prej Pekinit e Nismës së Sigurisë Globale synon mbushjen e të ashtuquajturit "deficit i paqes" dhe gjetjen e rrugëdaljes për krizën e sigurisë globale, duke qenë një produkt publik  që Kina i ofron botës në këtë drejtim. Vendet e ndryshme duhet të zëvendësojnë kundërvënien me dialogun, detyrimin me konsultimet dhe aleancat me partneritetin, duke u përpjekur për të arritur përfitime të ndërsjella në vend të "lojës ku fituesi merr gjithçka". Ato duhet të vënë në jetë parimin e sigurisë së pandashme dhe të marrin parasysh shqetësimet e arsyeshme për sigurinë të vendeve të tjera për të ndërtuar një kornizë të balancuar, të efektshme e të vazhdueshme të sigurisë globale, tha përfaqësuesi kinez.