Turqia synon t’i bashkohet Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait
2022-09-19 15:10:10

nga VCG

nga VCG

Turqia synon të bëhet anëtare e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), deklaroi presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, njofton “ATSH”.

Kjo do ta bënte Turqinë anëtaren e parë të NATO-s që i bashkohet bllokut tetështetesh, të dominuar nga Kina dhe Rusia.

“Turqia synon anëtarësimin në SCO dhe do të donte të diskutonte seriozisht për këtë çështje në samitin e vitit 2023 në Indi”,- u tha Erdogan gazetarëve në Uzbekistan, në Samarkand.

Faqja zyrtare e SCO-së e ka përshkruar Turqinë si një nga gjashtë shtetet partnere të dialogut.

“Turqia ka lidhje historike dhe kulturore me kontinentin aziatik dhe do të donte të luante një rol në SCO, e cila përfaqëson 30% të prodhimit të brendshëm bruto global (GDP)”,- tha Erdogan.

Marrëdhëniet e Turqisë me aleatët e saj perëndimorë janë përkeqësuar në mënyrë të vazhdueshme gjatë rrjedhës së regjimit prej gati dy dekadash të Erdogan.

Udhëheqësi turk shpesh ka përmendur zhgënjimin dhe mungesën e solidaritetit brenda NATO-s dhe BE-së, ku Turqia është një kandidate, lidhur me çështjet e sigurisë, kryesisht me kryengritësit kurdë dhe Greqinë.

BE-ja, ka reaguar duke theksuar përkeqësimin e të drejtave të njeriut dhe ligjit të së drejtës në Turqi, veçanërisht që nga grushti i dështuar i shtetit në vitin 2016.

Turqia u emërua një kandidate zyrtare në BE në vitin 1999, por bisedimet e anëtarësimit në fakt janë ngrirë. (Fatosi)