OBSH kërkon vigjilencë duke paralajmëruar valë të tjera të mundshme të Covid-19
2022-09-16 12:55:13

Foto: VCG

Organizata Botërore e Shëndetësisë bëri të ditur se mund të ketë valë të tjera të mundshme të Covid-19 dhe u bëri thirrje qeverive në të gjithë botën të jenë vigjilente dhe të gatshme për t'iu përgjigjur çdo kërcënimi që mund të shfaqet.

“Ne nuk kemi qenë kurrë në një pozicion më të mirë për t'i dhënë fund pandemisë”,- deklaroi në një konferencë shtypi drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, citon “Xinhua”.

Sipas OBSH-së, gjatë javës 5-11 shtator, numri i rasteve të reja javore në mbarë botën u ul me 28 për qind, krahasuar me një javë më parë, në mbi 3.1 milionë. Numri i vdekjeve të reja javore ra me 22 për qind në pak më pak se 11.000.

Tedros e krahasoi reagimin e pandemisë me një garë maratonë: “Tani është koha për të vrapuar më shumë dhe për t'u siguruar që të kalojmë kufirin dhe të korrim shpërblimet e gjithë punës sonë të palodhur”.

Sidoqoftë, ekspertët e OBSH-së vazhdojnë të bëjnë thirrje për kujdes.

“Virusi po qarkullon në një nivel shumë intensiv në të gjithë botën, por e dimë se numri i rasteve të raportuara po nënvlerësohet, pasi janë më shumë sesa komunikohen”,- deklaroi Maria Van Kerkhove, drejtuese teknike e Programit të Emergjencave Shëndetësore në OBSH, duke theksuar se pritet të ketë valë të ardhshme infeksioni, potencialisht në momente të ndryshme kohore në të gjithë botën, të shkaktuara nga nënvariante të ndryshme të Omicron.

“Ato nuk kanë nevojë të përkthehen në valë të ardhshme vdekjeje, sepse ne kemi mjete që mund të parandalojnë infeksionet”,- tha ajo.

Mike Ryan, drejtor ekzekutiv i Programit të Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së, tha se edhe kur pandemia zbehet, njerëzit duhet të kenë nivele të larta vigjilence.

“Bota po lufton një virus shumë të ndryshueshëm në zhvillim, që na ka treguar deri tani se si mund të përshtatet dhe si mund të ndryshojë”,- tha Ryan. (Irma)