Xi: Kina, e gatshme të punojë me Rusinë për t'i dhënë stabilitet botës në ndryshim
2022-09-16 10:59:00


Foto: Xinhua

Kina është e gatshme të punojë me Rusinë për të luajtur një rol udhëheqës në shtimin e stabilitetit në një botë në ndryshim, tha presidenti kinez Xi Jinping gjatë një takimi me homologun e vet rus Vladimir Putin të enjten në qytetin Samarkand të Uzbekistanit. Të dy liderët shkëmbyen pikëpamje mbi marrëdhëniet Kinë-Rusi dhe çështjet ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët para mbledhjes së 22-të të Këshillit të Krerëve të Shteteve të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh).

Të dy vendet kanë ruajtur bashkërendimin e ngushtë në arenën ndërkombëtare, duke mbështetur normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare, tha Xi.

Më tej ai shtoi:“Përballë ndryshimeve të botës, të kohës dhe të historisë, Kina do të punojë me Rusinë për të përmbushur përgjegjësitë e tyre si vende të mëdha dhe për të luajtur një rol udhëheqës në shtimin e stabilitetit në një botë në ndryshim dhe në çrregullim".

Nga ana e tij, Putini theksoi se bota po kalon ndryshime të shumta, por e vetmja gjë që mbetet e pandryshuar është miqësia dhe besimi i ndërsjellë ndërmjet Rusisë e Kinës, duke shtuar se partneriteti i gjithanshëm strategjik i bashkërendimit ruso-kinez është i qëndrueshëm si malet.

Foto: Xinhua

Si Rusia, ashtu edhe Kina, synojnë një rend ndërkombëtar më të drejtë e më të arsyeshëm, duke dhënë një shembull të shkëlqyer në marrëdhëniet ndërkombëtare, theksoi ai.

Presidenti Xi tha se bashkëpunimi dypalësh ndërmjet Kinës dhe Rusisë në fusha të ndryshme ka ecur përpara në mënyrë të qëndrueshme. Veprimtaritë në kuadër të Vitit të Shkëmbimeve Sportive po zhvillohen mbarë, dhe bashkëpunimi ndërkombëtar e shkëmbimet njerëzore ndërmjet dy vendeve kanë pasur një hov të fortë.

Ai theksoi se Kina do të bashkëpunojë me Rusinë për të dhënë mbështetje të fortë për çështjet që kanë të bëjnë me interesat e ndërsjellë thelbësorë dhe për të thelluar bashkëpunimin konkret në tregti, bujqësi, ndërlidhshmëri dhe fusha të tjera.

Kreu i shtetit i Kinës u bëri thirrje të dyja palëve të forcojnë bashkërendimin në kuadër të OBSh-së, Konferencës për Ndërveprimin dhe Masat e Forcimit të Besimit në Azi, BRICS-it e mekanizmave të tjerë shumëpalësh, për të promovuar solidaritetin dhe besimin e ndërsjellë ndërmjet palëve.

Presidenti kinez u shpreh gjithashtu se Pekini e Moska duhet të zgjerojnë bashkëpunimin pragmatik, të mbrojnë sigurinë e interesat e rajonit dhe të ruajnë interesat e përbashkët të vendeve në zhvillim e të tregjeve në zhvillim.

Putini tha se Rusia do të konsolidojë dhe thellojë komunikimin dhe bashkëpunimin dypalësh e shumëpalësh me Kinën dhe do të zgjerojë bashkëpunimin në fusha kyçe si tregtia dhe energjetika.

Ai shtoi se Moska do të punojë me Pekinin për të promovuar vazhdimin dhe thellimin e bashkëpunimit midis vendeve anëtare të OBSh-së bazuar në parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të njëri-tjetrit, për të ndërtuar një platformë autoritative për ruajtjen e sigurisë dhe qëndrueshmërisë rajonale.

Gjatë bisedimeve, Putini vuri në dukje gjithashtu se pala ruse është e përkushtuar në mënyrë të vendosur ndaj parimit të "Një Kine" dhe dënon lëvizjet provokuese të vendeve të veçanta për çështjet që kanë të bëjnë me interesat thelbësorë të Kinës.

Ndërsa Xi Jinping-u u shpreh se e vlerëson respektimin nga Rusia të parimit të "Një Kine", duke theksuar se Tajvani është pjesë e Kinës, se pala kineze kundërshton me vendosmëri forcat separatiste të "pavarësisë së Tajvanit" e ndërhyrjen e jashtme dhe se asnjë vend nuk ka të drejtë të veprojë si gjykatës për çështjen e Tajvanit.