Vendet evropiane bashkojnë forcat për të rritur energjinë e erës
2022-09-16 10:33:59

Foto:VCG

Disa vende evropiane kanë rënë dakord të rrisin masivisht bashkëpunimin për energjinë e erës, në një përpjekje për të zbutur krizën energjetike të rajonit.

Kriza, e cila u shkaktua nga një rënie e madhe e eksporteve të gazit natyror nga Rusia, pas konfliktit në Ukrainë, ka bërë që shumë vende evropiane të kërkojnë alternativa dhe familjet që luftojnë për të paguar faturat e energjisë që rriten me shpejtësi, shkruan “China Daily”.

Marrëveshja e Bashkëpunimit për Energjinë e Detit të Veriut, të cilën nëntë vende e nënshkruan të hënën, synon jo vetëm të kufizojë varësinë e Bashkimit Evropian në eksportet e karburanteve fosile të Rusisë, por gjithashtu të sigurojë që blloku të arrijë objektivat e tij të ndryshimeve klimaterike.

“Associated Press” citoi zyrtarë gjermanë të thonë se BE-ja synon të rrisë prodhimin e energjisë nga era në Detin e Veriut nga më pak se 20 gigavat sot në 76 gigavat deri në vitin 2030.

Nënshkruesit, Belgjika, Danimarka, Franca, Gjermania, Irlanda, Luksemburgu, Holanda, Suedia dhe Norvegjia jo-anëtare e BE-së, më pas synojnë të rrisin prodhimin në 193 GW deri në vitin 2040 dhe 260 GW deri në vitin 2050.

Bashkëpunimi nuk përfshin ende Mbretërinë e Bashkuar, e cila është një prodhues i madh i energjisë së erës në det të hapur në rajon, por mund të shtrihet për të përfshirë vendin në të ardhmen.

Ministri irlandez i Mjedisit, Eamon Ryan, tha për “The Irish News” se marrëveshja kërkon që të zhvillohen rrjete që mund të devijojnë energjinë atje ku është më e nevojshme brenda bllokut.

“Kjo nismë u ndërmorr për ta bërë këtë hap në mënyrë kolektive, të organizuar dhe të strukturuar siç duhet. Është thelbësore për të përmbushur objektivat tona klimaterike. Është një mundësi e madhe zhvillimi industrial për secilin nga vendet tona dhe për Evropën, si dhe është kritike për përmbushjen e sigurisë sonë energjetike”,- deklaroi Ryan.

Rob Jetten, ministri i Energjetikës i Holandës, tha për “AP” se Deti i Veriut tani do të bëhet qendra e energjisë për të gjithë Bashkimin Evropian. (Irma)