OBM: Bota po shkon në drejtim të gabuar për emergjencën klimaterike
2022-09-15 12:58:53

Foto: VCG

Organizata Botërore Meteorologjike (OBM) paralajmëroi të martën se bota po shkon në drejtimin e gabuar në luftimin e ndryshimeve klimaterike dhe se pa veprime shumë më ambicioze, ndikimet fizike dhe socio-ekonomike do të jenë gjithnjë e më shkatërruese.

Sipas "United in Science", një raport i shumë agjencive i koordinuar nga OBM, nevojitet veprim urgjent për të zbutur emetimet dhe për t'u përshtatur me ndryshimin e klimës, sepse vendet kolektivisht po dështojnë në përmbushjen e premtimeve të tyre të reja ose të përditësuara me politikat aktuale, citon “Xinhua”.

Raporti vlerëson gjetjet më të fundit shkencore në lidhje me ndryshimin e klimës, ndikimet dhe përgjigjet. Ai tregon se përqendrimet e gazit serrë vazhdojnë të rriten në nivele rekord, pasi normat e emetimit të karburanteve fosile tani janë mbi nivelet e para-pandemisë pas një rënie të përkohshme për shkak të bllokimeve. Ambicia e premtimeve për reduktimin e emetimeve për vitin 2030 duhet të jetë shtatë herë më e lartë për të qenë në përputhje me objektivin e reduktimit prej 1.5 gradë celsius. Meqenëse shtatë vitet e fundit ishin më të ngrohtat e regjistruara, pikat kthesë në sistemin klimaterik nuk mund të përjashtohen, paralajmëron raporti. Kjo do të shkaktonte rritje të ndikimeve socio-ekonomike në qytete të mëdha.

"Përmbytjet, thatësirat, valët e të nxehtit, stuhitë ekstreme dhe zjarret po shkojnë keq e më keq, duke thyer rekorde me frekuencë alarmante. Nuk ka asgjë të natyrshme në shkallën e re të këtyre fatkeqësive. Ato janë çmimi i varësisë së njerëzimit nga karburantet fosile",- tha sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, në një video-mesazh bashkëngjitur raportit. (Elona)