Shefi i OKB-së: Multilateralizmi në testim në sesionin e ardhshëm të Asamblesë së Përgjithshme
2022-09-14 13:02:21

Foto: VCG

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha të hënën se sesioni i ardhshëm i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të vazhdojë të testojë sistemin shumëpalësh si kurrë më parë, si dhe kohezionin dhe besimin midis vendeve anëtare. Në takimin përmbyllës të sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme, Guterres tha se rruga përpara do të jetë sfiduese dhe e paparashikueshme, citon “Xinhua”.

“Por duke përdorur diplomacinë, negocimin dhe kompromisin, mund të vazhdojmë të mbështesim njerëzit dhe komunitetet në mbarë botën. Ne mund të hapim rrugën drejt një të ardhmeje më të mirë dhe më paqësore për të gjithë njerëzit dhe mund të ripërtërijmë besimin në Kombet e Bashkuara dhe sistemin shumëpalësh”,- tha ai.

Guterres falënderoi Abdulla Shahid nga Maldivet, si president i sesionit të 76-të të Asamblesë së Përgjithshme, për vizionin dhe udhëheqjen e tij.

“Me aftësi të jashtëzakonshme, ai e drejtoi këtë asamble gjatë këtyre kohërave të paprecedenta, duke sjellë vizion të ri për çështje si barazia gjinore, veprimi klimatik dhe perspektiva unike e shteteve të vogla ishullore”,- tha ai.

Guterres theksoi gjithashtu konfliktet e egra që po vënë në rrezik miliona jetë, duke thelluar varfërinë dhe pabarazinë që vazhdon të pengojë rimëkëmbjen dhe zhvillimin, një sistem financiar global të falimentuar moralisht që penalizon vendet në zhvillim dhe bllokon rrugën e tyre drejt rimëkëmbjes së qëndrueshme dhe një emergjencë klimatike që është duke i vënë flakën planetit.

Sesioni i 76-të i Asamblesë së Përgjithshme u shënua nga një sërë sfidash të thelluara: rritja e çmimeve, erozioni i fuqisë blerëse, rritja e pasigurisë ushqimore dhe hijet e grumbulluara të një recesioni global; një pandemi globale që refuzoi të mposhtej dhe shfaqja e një urgjence tjetër shëndetësore në linë e majmunëve, si dhe valët vdekjeprurëse të të nxehtit, stuhitë, përmbytjet dhe fatkeqësitë e tjera natyrore. (Elona)