Zv.sekretari i përgjithshëm: Nuk ekzistojnë faktorët që OBSh-ja të bëhet një aleancë ushtarake si NATO-ja
2022-09-14 16:33:42

foto nga "People Vision"

foto nga VCG- "People Vision"

Në prag të Samitit të 22-të të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (OBSh), që do të zhvillohet të enjten e të premten në Samarkand të Uzbekistanit, zv.sekretari i përgjithshëm i kësaj organizate Grigory Logvinov tha gjatë një interviste se nuk ekzistojnë faktorët që OBSh-ja të bëhet një aleancë ushtarake si NATO-ja.

Logvinov-i theksoi se synimi i krijimit të OBSh-së është besimi i ndërsjellë, leverdia e përbashkët, barazia, konsultimet, respekti i shumëllojshmërisë së qytetërimeve dhe zhvillimi i përbashkët, të cilët quhen "Shpirti i Shangait". Gjatë 21 vjetëve pas krijimit të kësaj organizate, Shpirti i Shangait e ka luajtur plotësisht rolin e vet. Anëtarët e organizatës kanë arritur konsensus dhe i kanë zgjidhur problemet nëpërmjet konsultimeve dhe asnjë vend nuk ia ka imponuar qëndrimet a pikëpamjet e tij ndonjë vendi tjetër. Falë solidaritetit politik, OBSh-ja është bërë qendra e forcës tërheqëse të rajonit. Sot "Shpirti i Shangait" është bërë një term i posaçëm i pranuar botërisht.

Duke folur për rolin e OBSh-së në garantimin e sigurisë rajonale, Logvinov-i tha se çështja e sigurisë ka qenë në plan të parë të OBSh-së. Në fakt, kjo organizatë u krijua për shkak të problemit të Afganistanit dhe për përballimin e rreziqeve nga Afganistani. Gjatë 21 vjetëve, OBSh-ja ka bërë një punë efektive antiterroriste. Bota e sotme ndodhet përpara gjithnjë e më shumë sfidave e kërcënimeve dhe anëtarët e OBSh-së kanë paraqitur projekte të reja për përballimin e faktorëve kërcënues jotradicionalë ndaj sigurisë.

Për sa i përket mundësisë që OBSh-ja të ketë funksionin e aleancës ushtarake ashtu si NATO, Logvinov-i theksoi se nuk ekziston një mundësi e tillë. Ai shpjegoi se në Kartën e OBSh-ës dhe në dokumente të tjera ligjore, nuk ka elemente që mund ta kthenin këtë organizatë në një aleancë ushtarake. Edhe manovrat e mëdha ushtarake që zhvillon kjo organizatë janë për qëllime antiterroriste. Asnjë manovër ushtarake në kornizën e OBSh-së nuk tregon karakter agresiv ushtarak. "Sipas meje, roli i OBSh-së është kryesisht për krijimin e së ardhmes më të bukur të njerëzimit," theksoi zv.sekretari i përgjithshëm Logvinov. (Wang Lei/ Artan)