OKB dhe Rusia diskutojnë për eksportet e grurit dhe të plehrave
2022-09-10 16:46:50

Zyrtarë të lartë të Kombeve të Bashkuara dhe nga Rusia u takuan në Gjenevë për të diskutuar mbi ankesat ruse se sanksionet perëndimore po pengonin eksportet e saj të grurit dhe plehrave, pavarësisht një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga OKB për të rritur dërgesat ruse dhe ukrainase të mallrave, bën të ditur “CGTN”.

Foto: VCG

Foto: VCG

OKB-ja, Turqia, Ukraina dhe Rusia ranë dakord më 22 korrik për atë që u përshkrua nga shefi i OKB-së Antonio Guterres si një marrëveshje paketë për të rifilluar eksportet e grurit dhe plehrave të Ukrainës në Detin e Zi dhe për të lehtësuar dërgesat ruse.

“Zyrtarja e lartë e tregtisë e OKB-së, Rebeca Grynspan, u takua me zëvendësministrin e Jashtëm rus Sergei Vershinin për një diskutim pozitiv në Gjenevë”,- deklaroi zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric.

“Diskutimet zhvillohen në një nivel shumë konstruktiv dhe profesional. Sfidat janë mjaft të qarta, por nuk do të hyj në detajet e asaj që është diskutuar rreth asaj tavoline”, -tha Dujarric.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, bëri thirrje të martën për heqjen e sanksioneve logjistike që pengojnë hyrjen e lirë të grurit dhe plehrave ruse në tregjet botërore.

Ankesat e Rusisë vijnë përpara diskutimeve të mundshme që synojnë zgjatjen e marrëveshjes fillestare 120-ditore që lejon eksportet e Ukrainës në Detin e Zi.

Qëllimi i marrëveshjes së paketës ishte të ndihmonte në lehtësimin e krizës globale të ushqimit që sipas OKB-së se u përkeqësua nga konflikti i vazhdueshëm Rusi-Ukrainë dhe shtyu dhjetëra milionë njerëz të tjerë në uri. Ukraina dhe Rusia janë të dyja eksportuesit kryesorë të grurit. (Irma)