Nisi në Shqipëri faza e aplikimeve për mbështetjen e prodhuesve të grurit
2022-09-02 11:47:53

Më 1 shtator në Shqipëri nisi faza e aplikimeve për mbështetjen e prodhuesve të grurit.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, deklaroi përmes një njoftimi zyrtar, se qeveria vendosi në mars dhe në korrik që të shtojë buxhetin fillestar në mbështetje të fermerëve me 1.7 miliardë lekë.

Sipas ministres, pavarësisht një vit të pazakontë, me sfida të mëdha globale dhe vështirësi në zinxhirin prodhues e përpunues, falë dedikimit të fermerëve shqiptarë ka pasur një ecuri pozitive në prodhim dhe eksporte. Krifca tha se në fund të korrikut u llogaritën mbi 20% më shumë eksporte në vlerë e në sasi krahasuar me një vit më parë.

“Kemi mbështetur më shumë se 35.000 fermerë deri tani e deri në fund të vitit llogariten rreth 5.000 fermerë që përmes naftës, grurit, apo masave të tjera të drejtpërdrejta do të preken nga skema”, -thuhet në njoftimin e ministres Krifca.

Në njoftim bëhet e ditur se nga kjo nismë, kultivuesit e grurit me siperfaqe mbi 1 ha do të përfitojnë një mbështetje prej 30.000 mijë lekë për ha. Me këtë mbështetje për sipërfaqe, garantohet pagesa brenda këtij viti për secilin fermer. Sipërfaqja prej 1 ha nuk kërkohet të jetë në një parcelë të vetme, as në parcela që formojnë një bllok.

Aplikimi për masën mbështetëse të grurit nga data 1 deri 23 shtator kryhet “online” nëpërmjet portalit e-Albania. Secili fermer mund të realizojë këtë aplikim në mënyrë individuale nga çdo kompjuter me lidhje interneti. Megjithatë për të siguruar asistencën e nevojshme, Ministria e Bujqësisë ka angazhuar një rrjet zyrash aplikimi (20 Agropika dhe 35 zyra bujqësie pranë AREB-eve, pra 55 zyra gjithësej me rreth 113 specialistë bujqësie), të mjafueshme për realizimin normal të procesit. (Irma)