CMG-ja: A po i jep Japonia ndihmë pa kushte Afrikës?
2022-08-30 16:24:02

Foto nga VCG

Foto nga VCG

Të shtunën e të dielën u zhvillua në Tunizi Konferenca e 8-të Ndërkombëtare e Tokios për Zhvillimin Afrikan (TICAD), e drejtuar nga Japonia. Sipas njoftimeve të medias japoneze, premtimet e bëra nga zyrtarët japonezë në konferencë për ta ndihmuar Afrikën përfshijnë shumë synime. Njëkohësisht, Kina, që nuk ishte e pranishme në konferencë, u bë përsëri “personazhi kryesor”.

Në strukturën ekonomike botërore, ekonomia afrikane është relativisht e prapambetur dhe Afrika ka nevojë për ndihmë ekonomike ndërkombëtare. Në Konferencën e 8-të Ndërkombëtare të Tokios për Zhvillimin Afrikan, kryeministri japonez Fumio Kishida u shpreh nëpërmjet videolidhjes se vendi i tij do të investojë 30 miliardë dollarë në Afrikë në tre vjetët e ardhshëm dhe do të përgatitë 300 mijë talente afrikane. Ai theksoi se "kjo është e ndryshme nga ajo që po bën Kina". Të dielën, gazeta japoneze “Asahi Shinbun” shkroi se kryeministri Fumio Kishida duhet të forcojë marrëdhëniet me vendet afrikane për t'iu kundërvënë Kinës.

A mund ta arrijë Japonia këtë objektiv?

Tani problemet kryesore në zhvillimin afrikan janë tregu i vogël dhe vëllimi i paktë i shitjes së produkteve bujqësore, të mineraleve etj. Sipas statistikave të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë, në vitin 2018 vëllimi i import-eksportit mes Japonisë e Afrikës ishte më pak se 20 miliardë dollarë. Pas vitit 2018, marrëdhëniet ekonomike dypalëshe janë dobësuar më tej. Njëkohësisht, megjithëse Japonia ka bërë shumë herë premtime për shtimin e investimeve në Afrikë, vëllimi i tyre ka rënë pandërprerë dhe ka arritur në afro 5 miliardë dollarë në dy vjetët e fundit.

A ka si qëllim ndihma japoneze zhvillimin afrikan apo arritjen e interesave vetjake? Analistët vunë në dukje se shtimi i ndihmës japoneze ndaj Afrikës jo vetëm synon kundërvënien ndaj Kinës, por është edhe pjesë e përpjekjeve të Japonisë për t'u bërë vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Si vend i mundur në Luftën e Dytë Botërore, megjithëse ka arritur një zhvillim të madh ekonomik, Japonia nuk dëshiron që të mbetet vetëm një fuqi ekonomike, por synon gjithmonë edhe të arrijë një status politik. Bërja vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së është një mjet për arritjen e këtij qëllimi. Vitet e fundit, Tokioja është shprehur se reforma e Këshillit të Sigurimit të OKB-së është objektivi i përbashkët i Japonisë dhe i Afrikës. Në këtë konferencë për zhvillimin afrikan, Japonia shfaqi përsëri synimin e vet nëpërmjet ndihmës ndaj Afrikës.

Afrika është një treg i madh i bashkëpunimit ndërkombëtar, dhe nuk duhet të shndërrohet në një arenë rivaliteti. Nëse Japonia do që të zhvillohet së bashku me Afrikën siç tha Fumio Kishida, ajo duhet të veprojë si Kina, që zhvillon bashkëpunim të barabartë dhe me përfitime të përbashkëta me Afrikën. Ndihma në bazë të kundërvënies dhe konkurrencës nuk është e nevojshme për kontinentin afrikan. (Fani)