Kryetari i Fed-it të ShBA-së paralajmëron kundër "politikës së lirimit të parakohshëm"
2022-08-27 13:39:40

               Jerome Powell, kryetari i Fed-it(Foto:VCG)

Jerome Powell, kryetari i Fed-it(Foto:VCG)

  Kryetari i Rezervës Federale të ShBA-së, Jerome Powell, theksoi të premten se rekordi historik i inflacionit paralajmëron fuqishëm kundër "politikës së lirimit të parakohshëm", duke theksuar se banka qendrore "duhet ta mbajë atë derisa puna të përfundojë".

   "Inflacioni po shkon shumë mbi 2 për qind dhe inflacioni i lartë ka vazhduar të përhapet në ekonomi," tha Powell në fjalimin e tij vjetor të politikave në Xhekson Houll të Uajomingut.

    Treguesi e Çmimeve të Shpenzimeve të Konsumit Personal në ShBA, mjeti i preferuar i matjes së inflacionit nga Rezerva Federale, u rrit me 6.3 për qind në korrik krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, pas një shtimi vjetor prej 6.8 për qind në qershor, raportoi të premten Departamenti i Tregtisë.

   Sipas të dhënave të mëparshme, Treguesi i Çmimeve të Konsumit në korrik u rrit 8.5 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2021. Kjo shifër është më e ulët nga rekordi në katër dekada i shënuar në qershor, por përsëri është në nivel të lartë. Inflacioni i konsumit ka mbetur mbi 8 për qind që nga marsi.

  Treguesi i Shpenzimeve të Konsumit Personal merr parasysh se si konsumatorët ndryshojnë sjelljen e tyre në sfondin e çmimeve më të larta dhe është një matës më i gjerë i sjelljes së konsumatorit sesa Treguesi i Çmimeve të Konsumit.

     Kryetari i Fed-it pranoi gjithashtu "kostot fatkeqe" të uljes së inflacionit, ndërsa theksoi se "dështimi për të rivendosur stabilitetin e çmimeve do të nënkuptonte një dhimbje shumë më të madhe".

   "Ndërsa normat më të larta të interesit, rritja më e ngadaltë dhe kushtet më të buta të tregut të punës do të ulin inflacionin, ato gjithashtu do të sjellin njëfarë dhimbjeje për familjet dhe bizneset," vuri në dukje ai.

   Komiteti Federal i Tregut të Hapur, organi që përcakton politikat e Fed-it, miratoi dy ngritje të njëpasnjëshme prej 0.75 pikë përqindjeje në mbledhjen e tij të qershorit dhe korrikut, duke shënuar rritjen më të madhe të njëpasnjëshme të normave në disa dekada. Gama e synuar për normën e fondeve federale është 2.25 deri në 2.5 %.(Artan)