Problemi i robotit vonon heqjen e lëndës djegëse nga centrali bërthamor i Fukushimës
2022-08-26 19:43:16

Centrali bërthamor Fukushima Daiichi në qytetin Okuma të prefekturës Fukushima në veri të Tokios, 13 shkurt 2021. /AP

Centrali bërthamor Fukushima Daiichi në qytetin Okuma të prefekturës Fukushima në veri të Tokios, 13 shkurt 2021. /AP

Operatori i centralit bërthamor të shkatërruar në Fukushima tha të enjten se do ta shtyjë më tej fillimin e largimit të lëndës djegëse të shkrirë shumë radioaktive nga reaktorët e tij të dëmtuar, për shkak të vonesave në prodhimin e një krahu robotik të telekomanduar.

Kompania e Energjisë Elektrike e Tokios (TEPCO) kishte planifikuar të fillonte heqjen e lëndës djegëse të shkrirë nga reaktori i Njësisë 2 në centralin Fukushima Daiichi vitin e kaluar, 10 vjet pas katastrofës së shkaktuar nga një tërmet i madh dhe cunami më 11 mars 2011.

Plani u shty deri në fund të këtij viti, dhe tani do të shtyhet më tej deri në vjeshtën e vitit të ardhshëm, për shkak të punës shtesë të nevojshme për të përmirësuar performancën e krahut robotik, njoftoi TEPCO.

Krahu gjigant, i krijuar bashkërisht nga kompania britanike “Veolia Nuclear Solutions” dhe “Mitsubishi Heavy Industries” e Japonisë, është transportuar në Japoni dhe po përshtatet në një strukturë testimi në jug të centralit të Fukushimës.

Vonesa nuk do të ndikojë në çmontimin e përgjithshëm të centralit, që pritet të zgjasë 30 deri në 40 vjet, tha TEPCO. Ekspertët kanë thënë se objektivi i përfundimit është shumë optimist.

Gjatë aksidentit, rreth 72.6 tonë lëndë djegëse bërthamore shumë radioaktive në tre reaktorët e dëmtuar u shkri dhe ra në fund të cisternave të tyre kryesore, ku u ngurtësua, me shumë të ngjarë e përzier me pjesë të thyera të reaktorit dhe copa betoni. Heqja e saj është deri tani sfida më e vështirë e procesit të nxjerrjes nga funksionimi të centralit.

TEPCO ka bërë përparim në vlerësimin e gjendjes së lëndës djegëse në reaktorë në vitet e fundit, duke dërguar robotë të telekomanduar brenda cisternave kryesore. Por të dhënat dhe imazhet e ofruara nga sondat janë ende të pjesshme dhe ekspertët thonë se është shumë herët të thuhet se kur dhe si do të përfundojë pastrimi.

Nevoja e vazhdueshme për të ftohur lëndën djegëse të mbetur në reaktorë ka çuar në sasi të mëdha të ujit ftohës të trajtuar, por ende radioaktiv, i cili ruhet në rreth 1000 rezervuarë në terrenin e centralit.

Qeveria ka shpallur një plan për të nisur lëshimin e ujit të depozituar në det pas trajtimit dhe hollimit të mëtejshëm në pranverën e vitit 2023, një plan që është kundërshtuar ashpër nga banorët vendorë, sektori i peshkimit dhe vendet fqinje.